Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç pritet
të marrin pjesë të dielën në forumin evropian në Vahau të Austrisë,
shkruajnë mediat serbe.

Dy kryeminisrat, sipas gazetave beogradase, do të mbajnë edhe fjalime në një prej seancave të këtij forumi, ku do të jenë të pranishëm ministri i Jashtëm austriak Michael Spindelegger, ai rumun Titus Korlatean dhe ai maqedonas Nikolla Popovski.

Mediat serbe raportojnë se Thaçi e Daçiç, në kuadër të këtij forumi, do të takohen në Vjenë për të diskutuar mbi zhbllokimin e dialogut teknik, i cili ka ngecur në çështjen e telekomit dhe energjitikës.

Sipas gazetës “Veçernje Novosti”, dy kryeministrat pritet të diskutojnë për zgjidhjet për të cilat grupet e punuës janë pajtuar në parim, por që vendimin nuk e kanë marrë ende.

Një zhbllokim i tillë thuhet se do të mundësonte që baronesha Catherine Ashton dhe komisioneri Shtefan Fuele të dorëzojnë më 18 qershor një vlerësim pozitiv për bashkëpunimin e Serbisë në dialog dhe hapjen e rrugës për marrjen e datës për anëtarësimin në BE.

Edhe pse bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me zbatimin e marrëveshjes ende nuk kanë dhënë ndonjë rezultat pozitiv, zyrtarët serbë janë optimistë se kjo do të sjellë datën e bisedimeve.

Top Channel