Megjithëse pushimi i menjëhershëm nga puna i 2760 nënpunësve të radiotelevizonit shtetëror ERT dhe mbyllja e tij deri në humbjen e sinjalit të transmetimit kanë shkaktuar një reagim të madh në opinionin publik të vendit, por edhe në të gjithë vendet europiane, kryeministri Samaras duket se nuk do të bëjë pas në vendimin e qeverisë që ai drejton.

Nuk po e mbyllim televizionin shtetëror, ka sqaruar ai në një fjalim të fundit, por do ta hapim më të mirë dhe më të fuqishëm, me më pak personel. Ndërkohë ka akuzuar nënpunësit e këtij institucioni se, përveç se privilegjeve dhe rrogave të majme, bënin greva për çdo ngjarje të rëndësishme dhe optimiste në Greqi, për të mos e pasqyruar atë.

Ky vendim personal i tij ka ngjallur një përçarje të theksuar me dy liderët e dy partive të koalicionit qeveritar, të cilët vërtet që e kundërshtojnë, por nuk vendosin veto, pasi një tërheqje e tyre nga koalicioni do të konsiderohej si tentativë për rrëzimin e qeverisë dhe do të shkaktonte zgjedhje të parakohshme në Greqi, si dhe pasoja katastrofike për vendin.

Deri në orët e vona të së mërkurës, përreth ndërtesave kryesore të ERT në Athinë dhe në atë të ERT3 të Selanikut, kanë vazhduar të qëndrojnë qytetarë nga i gjithë vendi, që nuk janë dakord me këtë vendim arbitrar, që kujton të kaluarën e Greqisë dhe juntën ushtarake.

Gjithashtu, në Selanik ka vizituar nënpunësit e këtij kanali edhe lideri i opozitës, Aleksis Tsipras, që ka premtuar se do të çojë në Parlament propozim për votëbesim të qeverisë. Në shenjë solidariteti, të gjitha mediat greke kanë shpallur deri në mëngjesin e së enjtes një grevë 24 orëshe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA