Rehabilitimi i një 67-vjeçareje

13/06/2013 18:30

Tashmë është 67 vjeç dhe ditën e kalon si çdo bashkëmoshatare e saj. Por, gjashtë vite më parë u përball me qelitë e burgut 325 në Tiranë, nën akuzën e kultivimit të hashashit.

Liri Cepele banon në shtëpinë dykatëshe në Roskovec, e rrethuar nga nipër dhe mbesa. Në gusht të vitit 2007 u arrestua bashkë me 10 gra të tjera të zonës. Atë ditë e kujton fort mirë: “Më 25 gusht 2007, në 5 të mëngjesit më kanë arrestuar. I dhashë kurajo vetes. Nuk e prisja që të arrestohesha.”

Liria është një grua e fortë, por kur i kërkon që të flasë për 6 muajt e vështirë në burg, zëri i bëhet më i vakët dhe sytë i përloten: “Atë ditë më çuan në Fier ku qëndrova 15 ditë në birucë. Nuk i kam parë fare fëmijët. Atje jam ndjerë shumë keq.”

Por si e ka kaluar ajo periudhën e daljes nga burgu? Vendi ku jeton nuk e ka paragjykuar aspak, madje ajo thotë se gëzon ende respektin e të gjithë banorëve të fshatit, pavarësisht arrestimit: “Kam dalë më 8 mars dhe më pritën rreth 35 veta tek porta. Ndërsa kur kam hyrë në qytet më kanë pritur shumë njerëz dhe ua di për nder.”

Ajo mban ende një album fotografik, ku ka dalë me shoqet e qelisë. Mbart kujtime të mira në kujtesë dhe thotë se shpeshherë u çon dhurata. Gratë që kanë bërë vrasje? Ajo ka një përgjigje edhe për këtë: “Duhet të ketë mëshirë për ato që kanë qenë të dhunuara.”

Duket se koha në qeli nuk ka lënë gjurmë të thella në jetën e saj. Ajo vijon jetën normale, pa jetuar nën trysninë e paragjykimit apo përjashtimit nga shoqëria.
 
Programet rehabilituese

Prej disa vitesh rehabilitimi i femrave të dënuara bën pjesë në programet e institucioneve të vuajtjes së dënimit. Pjesa më e madhe e tyre është e përqendruar në burgun 325 në Tiranë, ku aktualisht gjenden 54 femra të dënuara me vendim gjykate.

I klasifikuar si burg i sigurisë së zakonshme, të burgosurave u jepet e drejta e pjesëmarrjes në shumë aktivitete social-kulturore të krijuara në kuadër të procesit të rehabilitimit. Teknikat terapeutike, arsimimi i tyre dhe kurset profesionale janë parë si programet kryesore që ndihmojnë femrat e burgosura.

Rehabilitimi dhe riaftësimi i personave të dënuar shihet si mundësia më e mirë për krijimin e një jete të re që nis pas daljes nga qelitë. Pjesë e këtyre programeve ka qenë prania e bibliotekave, ndërtimi i kulteve fetare në institucione, klasa për zhvillimin e kurseve të ndryshme si dhe fushat sportive.

Përveç krijimit të ambienteve, asistenca psikologjike shihet si terapia më e mirë rehabilituese që shoqërohet paralelisht me takimet e përjavshme të familjarëve.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA