Pas 26-vitesh në drejtimin e Manchester United, pritej gjerësisht që Sir Alex Ferguson, për një herë të vetme në jetën e tij t’i lejonte vetes disa ditë pushime ekzotike, mbase pranë detit ose në ndonjë prej zonave më piktoreske të globit.
Megjithatë, 71-vjeçari rikthehet të befasojë, pasi në pushimet e para si një pensionist, ai do të shkojë në zbulimin e atdheut të tij, Skocisë.
Gjatë pothuajse tre dekadave në krye të United dhe viteve të tjera të kaluara më parë i angazhuar si trajner, Sir Alex ka pasur shumë pak kohë për të zbuluar disa prej destinacioneve më të bukura të vendlindjes.
Në udhëtimin që do të dërgojë në disa ishujt të veriut dhe peisazhe të mrekullueshme të Hebrides, South Uist apo Bendecula, Fergusonit do t’i bashkohet bashkëshortja Cathy me familjen e saj, tre djemtë e tyre dhe 11 nipër e mbesa.
”Sir Alex Ferguson shpreson që këto të jenë pushimet më të paharrueshme të jetës së tij, pasi e gjithë familja do t’i bashkohet, ndërsa do të ketë mundësinë që të realizojë lundrimin që dëshiron”, tha një burim për “Manchester Evening News”.
Ashtu si në besnikërinë e treguar ndaj “Djajve të Kuq”, Ferguson mbeti besnik gjatë viteve edhe me vendin ku kalon pushimet verore, me jugun e Francës që është vizituar rregullisht prej tij në ato pak ditë pushime që arrinte të siguronte kur drejtonte United.
Top Channel