Përfaqësuesit diplomatikë në Prishtinë presin rezultatet e para nga zbatimi i marrëveshjes Kosovë – Serbi para 28 qershorit, datë kjo kur Bashkimi Europian do të vendosë për kohën e fillimit të negocitave për pranimin e Serbisë në BE.

Ngecja në procesin e zbatueshmërisë duket se është e paarsyshme për përfaqësuesine BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, i cili kujtoi se marrëveshja nuk ka dalë nga zarfi i BE-së, por është arritur nga kryeministrat e të dyja vendeve.

Në një debat me studentë universitarë, Zhbogar, por edhe ambasadori Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ian Cliff, e cilësuan marrëveshjen Kosovë-Serbi si historike, ndërsa e theksuan faktin se pavarësisht vështirësve ky proces nuk ka kthim prapa.

”Ne shohim angazhimin e politikanëve në të dyja anët për zbatimin e marrëveshjes së arritur. Natyrisht që duhet të shohim zbatimin  e saj në terren, duhet të shohim ndryshimet në terren, ato ndryshime të cilat do te vertetojne se marreveshja e arritur është e vërtetë. Kjo eshte ajo qe pritet nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian, përfaqësuesit e të cilave do te takohen me 28 qershor dhe kjo para se gjithash pritet nga qytetaret e Kosoves dhe te Serbise gjithashtu”, deklaroi Zhbogar.

Në vlerësimin e tij, ambasadori Cliff tha: “Une nuk mendoj qe BE do te pranoje perseri shtete te cilat nuk i kane zgjidhur problemet qe nderlidhen me kufijte. Une pajtohem qe duhet te kete zbatim te marreveshjes, dhe se  ne duhet te shohim zbatimin e marreveshjes ne terren ne dy javet e ardhshme vecanërisht nese Serbia dëshiron te marrë datën e fillimit të negociatave me Bashkimin Europian”.

Si pjesë e panelit të këtij debati, analisti politik Nexhmedin Spahiu ngriti cështjen e kthimit të shqiptarëve në pronat e tyre në veri të Kosovës.

Ndersa, i pyetur nga studentët për këtë zëvendëskryeministri Hajredin Kuci tha se marrëveshja e 19 prillit parasheh po kështu garantimin e pronës për të gjithë qytetarët.

Ish-ministri kosovar i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni kërkoi edhe njëherë nga Bashkimi Europian që t’i bëjë presion Serbisë për mos shfrytëzimin e serbëve të Kosovës për qëllime politike.  

Pjesëmarrës në debat ishte edhe politikani serb nga veriu i Mitrovicës, Oliver Ivanovic. Ai tha se vendimi përfundimtar për sa i përket efektit të marrëveshjes iu takon banorëve të veriut dhe sipas tij koha do ta tregojë nëse marrëveshja është apo jo historike.

Top Channel