Greqi, vendi në grevë totale

13/06/2013 00:00

Shumë nga shërbimet publike në Greqi janë pezulluar për shkak të grevës
së përgjithshme e organizuar në shenjë proteste ndaj lëvizjes surprizë
të qeverisë për të mbyllur transmetuesin televiziv shtetëror ERT, me një
humbje prej 2700 vende pune.

Sipas raportimeve të mediave helene, greva 24-orëshe, në të cilën ka hyrë edhe media, filloi në mesnatë dhe gjatë së enjtes janë parashikuar edhe protesta e tubime.

Kryeministri Andonis Samaras deklaroi se ERT ishte kthyer në një simbol të shpërdorimit dhe mungesës së transparencës dhe vlerësoi se masa e kabinetit të tij synon të ndihmojë Greqinë që të përmbushë detyrimet e saj për nivelin e borxhit.

Greva e përgjithshme, e treta që nga fillimi i vitit, ka përfshirë zyrat e taksave, shkollat dhe spitalet, autobusët dhe tramet, tragetet dhe trenat, si dhe pezullimin e shërbimit të metrosë që lidh Athinën me aeroportin.

Ndërkohë, gazetarët e ERT-së po zhvillojnë tubime në kryeqytetin grek, si dhe në Selanik, qyteti i dytë më i madh i vendit. Qeveria deklaron se forca të policisë janë vendosur jashtë zyrave të ERT-së për të parandaluar ndonjë “shkatërrim të mundshëm”.

Shumica e transmetimeve të televizionit janë ndërprerë që prej ditës së martë, edhe pse shërbimi radiofonik dhe ai online vazhdojnë të funksionojnë.

Ndërkohë, ka pak shenja të pjesëmarrjes së biznesit privat në këtë grevë dhe që rrugët e kryeqytetit janë të populluara si zakonisht me këmbësorë dhe makina.

Top Channel