Google bllokon sulmet iraniane

13/06/2013 00:00

Google deklaron se ka zbuluar dhe ndaluar mijëra sulme që vinin në shënjestër postën elektronike të përdoruesve iranianë përpara zgjedhjeve presidenciale të 14 qershorit.

Në një deklaratë online, kompania ka bërë të ditur se ka vënë re një rritje të konsiderueshme të aktiviteteve ilegale informatike në tre muajt e fundit.

Metodat e kryerjes së sulmeve sugjerojnë se ato janë të motivuara politikisht. Zgjedhjet e së premtes janë të parat që prej vitit 2009, kur presidenti Mahmoud Ahmadinejad fitoi një mandat të dytë të përfolur.

Zgjedhjet shkaktuan protesta madhore, me votuesit që akuzonin krahun e Ahmadinejad se kishte manipuluar rezultatin në favor të tij.

Nëndrejtori i Google për çështjet e sigurisë, Eric Grosse deklaroi se origjina e sulmeve ishte nga Irani. Përpjekjet për të siguruar fjalëkalimet dhe të dhëna të tjera private bëheshin duke orientuar përdoruesit në faqe interneti të falsifikuara.

“Për pothuajse tre javë ne kemi konstatuar dhe goditur fushata të shumta piraterie që synonin të kompromentonin llogari personale të zotëruara nga dhjetra mijëra përdorues iranianë”, deklaroi Grosse.

“Koha dhe objektivat e këtyre sulmeve tregojnë se ato janë të motivuara politikisht dhe të lidhura me zgjedhjet presidenciale iraniane”, shtoi funksionari i kompanisë.

Ai sqaroi se nëse përdoruesit klikonin në faqet e falsifikuara të Google, atëherë hakersat vidhnin emrin e identifikimit dhe fjalëkalimin e tyre. 

Top Channel