13 Qershori, pelegrinazhi në kishën e “Shna Ndout”

13/06/2013 17:30

“Shna Ndou” është një shenjt nga Lisbona e Portugalisë. Ai ka qenë frat franceskan dhe është shenjti i Kishës Katolike. Në fillim, shenjtori i përkiste urdhërit Agostinian në Koimbra e më pas atij Franceskan.

Gjatë gjithë jetës frati udhëtoi shumë duke qëndruar fillimisht në Portugali dhe pas zhvendosjeve të shumta përfundoi në Itali. Në vitin 1221“Shna Ndou” u takua me Shën Franceskun e Asizit, në Porciunkola, i cili e ftoi në Manastirin e Montepaolos, vend ku filloi veprimtarinë si predikues. Përveç predikimit, ai ishte njëkohësisht profesor teologjie.

Është konsideruar nga shenjtorët si shenjti mbrojtës i njerëzve të gjymtuar, të varfërve, peshkatarëve, të sëmurëve, grave shtatzëna apo njerëzve të shtypur. Nuk do të kalonte shumë kur frati do të shpërngulej në Bolonja e më pas në Padova, ku u shpall Shenjti mbrojtës i qytetit.

Në moshën 36-vjeçare Shna Ndou vdiq. Një vit më pas, për numrin e mrekullive që ju njohën, ai u kanonizua nga Papa Gregori i 9, ndërsa në vitin 1946, Papa Pio i 12 e renditi Shna Ndoun mes doktorëve të Kishës Katolike duke i dhënë titullin “Doktor Evangjelik”. Titulli i madh ju dha duke ju referuar shkrimeve të tij dhe predikimeve që bazoheshin në citimet e Ungjillit. Bazilika e madhe e Padovës i është përkushtuar tërësisht Shna Ndoit.

Për të përkujtuar figurën e shenjtit,13 qershori festohet nga të gjithë besimtarët e Padovës me kremtime meshash.

Besimi që sfidon regjimin

Nëse je besimtar i devotshëm nuk mund të mos kesh dëgjuar për Kishën e Shna Ndout, në Laç. Sipas gojëdhënave, Shenjti Shna Ndo ka jetuar nga 18 gushti i vitit 1195 deri në 13 qershor të 1231-shit.

Për të kremtuar figurën e tij dhe për tu lutur gjatë 13 të martave, Kisha pret besimtarët nga e gjithë Shqipëria, ritual i cili kulmon pikërisht me 13 qershor. Edhe pse ngjitja deri në majë është disi e mundimshme, shumë njerëz ndjekin pelegrinazhin. Familja Rica nga Laçi mund të quhet një nga më besnikët e ritualit.

Kryefamiljari Cezari e ka frekuentuar Kishën që në vitet ‘70 kur ende ishte 14 vjeç. Në vitin 1992 ai martohet me Marjanën e cila gjithashtu ishte frekuentuese e Kishës.

“Vij nga një familje katolike dhe të gjithë pjesëtarët e familjes sime i kanë festuar fshehtas festat fetare. Kam shkuar për herë të parë në Kishën e Laçit në 1985, për një dasmë”, kujton Marjana.

Gjatë viteve ‘67-‘68 lutjet u ndaluan nga regjimi, por kjo nuk i ndaloi vendasit të shkonin fshehurazi në vendin e shenjtë. Pas rënies së komunizmit, besimtarët vazhduan pelegrinazhin, këtë herë pa patur më frikën e ndëshkimit: “Kur ra regjimi, njerëzit shkonin në masë atje dhe ishte madhështore.”

Si çdo 13 qershor, familja Rica bëhet gati për të kaluar natën pranë Kishës. Marjana përgatit ushqimet dhe kujdeset që të ketë marrë me vete të gjitha gjërat e nevojshme pasi nata do të kalohet jashtë. Rrugës ajo ndalet për të blerë disa qirinj që do t’i ndezë për mbarësi dhe shëndet: “Është shumë bukur. Atje gjen qetësinë. Ata që besojnë shërohen dhe gjithçka mund të ndodhë.”

E veçanta e vendit të shenjtë është se besimtarët që i luten Shna Ndout, janë të besimeve të ndryshme. Gjatë mbrëmjes celebrohen mesha të shenjta nga meshtarë të ndryshëm, ku bashkohen në lutje dhe adhurim besimtarë të shumtë jo vetëm nga Shqipëria, por dhe nga Kosova e Maqedonia. Sipas vendasve, në pelegrinazhin e këtij viti, si asnjëherë tjetër, kanë ardhur rreth 1 milion besimtare.
 
 
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA