Për lëvizjen Vetëvendosje, Kosova 14 vjet pas çlirimit është akoma një shtet i dobët me rrezik shndërrimi në një shtet të dështuar. Këtë koment e bëri kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

I sapokthyer nga vizita e parë zyrtare në Shtetet e Bashkuara, Kurti në një konferencë për media me rastin e tetëvjetorit të themelimit të Vetëvendosjes, tha se Kosova ka nevojë për një politikë e cila shndërron shtetin nga një shtet konsumues në një shtet prodhues. Ai shtoi se është i interesuar për përhapjen e konceptit të Vetëvendosjes në vendet ku jetojnë shqiptarët.

“Kosova duhet të shndërrohet nga një shtet konsumator në një shtet prodhues, nga një shtet të korruptuar në një shtet ku sundimi sjell drejtësi për qytetarët dhe u garanton të drejtat qytetarëve. Kosova duhet të transformohet nga një shtet që bisedon me Beogradin për territorin e brendshëm të saj, në një shtet që bashkon Mitrovicën dhe bisedon me Tiranën për bashkim kombëtar”, deklaroi Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje u themelua në vitin 2005 me qëllim të kundërshtimit të negociatave për statusin përfundimtar të Kosovës, kundërshtim ky që është prezent edhe sot në proçesin e ri të dialogut. Albin Kurti vlerëson lart kontributin që sipas tij ka dhënë lëvizja Vetëvendosje gjatë këtyre tetë viteve.

“Në qindra aksione, protesta e demonstrata pati mijëra lëndime, por ne vazhduam e vazhdojmë pa rreshtur me aktivitetet tona. Vuajtjet e humbjet tona janë edhe pjesë e vuajtjeve dhe humbjeve të popullit, por edhe të pakrahasueshme me to”, u shpreh Kurti.

Sa i përket vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kurti tha se gjatë vizitës 13-ditore dhe takimeve me mërgatën shqiptare dhe përfaqësues të Departamentit amerikan të Shtetit janë krijuar kanale komunkimi të domosdoshme sipas tij për t’u kuptuar e vërteta për Kosovën.

Top Channel