Venezuelë, auditi konfirmon fitoren e Maduros

12/06/2013 02:55

Trupa zgjedhore venezueliane ka konfirmuar fitoren e presidentit Nicolas Maduro, në zgjedhjet e prillit, pasi kreu një auditim të miliona votave.

Komisioni Kombëtar Zgjedhor i Venezuelës (CNE) bëri të ditur se nuk kishte gjetur mospërputhje me rezultatet fillestare. Maduro fitoi zgjedhjet me më pak se 1,5 pikë përqindjeje.

Kandidati opozitar, Enrique Capriles, tha se zgjedhjet ishin manipuluar. Ai denoncoi auditin si “të rremë”. Capriles akuzoi presidenten e Komisionit Zgjedhor, Tibisay Lucena, se ka marrë urdhra nga partia në pushtet.

“Venezuela ka një sistem elektoral të blinduar ndaj mashtrimit dhe gabimeve”, tha presidentja e komisionit, Lucena.

Zgjedhjet u mbajtën pas vdekjes së presidentit Hugo Chavez, më 5 mars, pas betejës së gjatë kundër kancerit. Maduro i fitoi zgjedhjet me rreth 200 mijë vota avantazh.

“Auditi tregon se rezultatet e zgjedhjeve janë pasqyrim besnik i dëshirës së qytetarëve tanë”, tha Lucena. Ajo shtoi se Capriles kishte kërkuar auditimin dhe kishte pranuar kushtet e tij, përpara se të tërhiqej nga procesi.

Top Channel