Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara u takua në Uashington me zëvendëssekretarin e Shtetit, William Burns.

Sipas mediave kosovare, Thaçi tha gjatë takimit se Kosova është e gatshme për fillimin e implementimit të marrëveshjes me Serbinë, duke bërë edhe ndryshimet legjislative që do të miratohen në Kuvendin e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës është duke dërguar mesazhe të qarta tek qytetarët e veriut, në mënyrë që të përmirësohet jeta e banorëve në atë pjesë të Kosovës”, deklaroi Thaçi.

Nga ana e tij, zoti Burns shprehu mirënjohje për qeverinë e Kosovës dhe vetë kryeministrin Thaçi për arritjen e marrëveshjes me Serbinë dhe shprehu besimin se do të fillojë implementimi i saj.

Zëvendëssekretari Burns siguroi përkrahjen e SHBA-ve për marrëveshjen e arritur dhe theksoi se në të ardhmen nuk do të mungojë asnjëherë kontributi i Uashingtonit që ky pakt të implementohet.

Në takim kryeministri Thaçi foli edhe për axhendën e Kosovës për njohjet ndërkombëtare dhe falënderoi administratën amerikane për kontributin e dhënë në këtë drejtim.

Ndërsa përsa i përket perspektivës evropiane të Kosovës, Thaçi bëri të qartë qëndrimin e tij se, Kosova të ardhmen e saj në BE nuk e kërkon duke u bazuar në parime morale, por edhe duke përmbushur kriteret e caktuara.

“Qeveria e Kosovës do të angazhohet që të përmbushë të gjitha kriteret për t’u bërë pjesë e institucioneve të BE-së dhe NATO-s, duke prodhuar argumente për mbështetje nga administrata e SHBA-ve”, tha mes tjerash kryeministri Thaçi.

Ndërsa zëvendëssekretari Burns shtoi më tej se Shtetet e Bashkuara përkrahin axhendën e integrimeve evropiane për Kosovën dhe do të kontribuojnë në rritjen e njohjeve të pavarësisë së saj.

Top Channel