Përfshirja e personave të dhunuar gjatë luftës, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre në projektligjin për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve dhe pjestarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës rrit koston e tij.

Kjo u bë e ditur në komisionin për shëndetësinë, ku megjithë mbështetjen e këtij projektligji, ministri i Punës dhe Mirëqënies Sociale, Nenad Rashiç ka vënë në pikëpyetje zbatimin e tij, pikerisht për shkak të kostos së lartë financiare.

“Të gjithë ata që kanë pasur pasoja gjatë luftës kanë të drejtë jo vetëm morale, por edhe institucionale për kompensim. Absolutisht nuk e kundërshtoj esencën e këtij projektligji, por nga ana tjetër duhet të theksoj se forma e prezantuar në të nuk është në atë nivel të cilin ne mund ta përkrahim. Shoh që ka rrezik të një kostoje e cila do të tejkalonte të gjitha mundësitë që kemi për këtë moment”, ka thënë Rashiç.

Këtë deklaratë, ministri Rashiç e bëri gjatë dëgjimit publik për këtë projektligj në komisionin parlamentar për shëndetësi dhe mirëqënie sociale, i cili ka shtuar se ende nuk ka një deklaratë financiare se sa kërkon zbatimi i këtij projektligji të plotësuar, ndonëse përfliten shuma 30 deri në 70 milionë euro në vit.

Më parë, qeveria e Kosovës e kishte mbështetur projektligjin për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve dhe pjestarëve të UÇK-së dhe Kuvendi i Kosovës e kishte miratuar në lexim të parë. Pas kësaj, me nismë të lëvizjes Vetëvendosje, pjesë e këtij projektligji janë bërë edhe personat e dhunuar gjatë luftës, viktimat civile të luftës dhe familjeve të tyre.

“Dua të theksoj se bisedimet nuk duhet të fokusohen në pjesën a ka mundësi ta lejojë buxheti apo jo, sepse ato gra janë dëmtuar shumë dhe është koha që ne ta kompensojmë dëmin dhe lëndimet që ato kanë pësuar. Ato përmes këtij projektligji mund të përfitojnë edhe atë që ju nuk po e diskutoni as në Parlament e askund, ai është dinjiteti”, ka thënë Igbale Rugova nga Rrjeti i Grave të Kosovës.

Ndërkohë, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Muharrem Xhemajli, ka thënë se e kundërshton këtë projektligj për shkak se nuk dihet ende nëse dhe çfarë përfitimesh do të kenë veteranët nga shteti.

“Ne edhe më herët kemi qenë kundër këtij projektligji para se ai të hynte për plotësim, sidomos përsa i përket çështjes së veteranëve, ku thuhet ‘ligji për veteranët dhe pjesëtarët e UÇK-së’. Veteranët janë të përjashtuar nga të gjitha përfitimet me anë të këtij ligji në fuqi”, ka thënë Xhemajli. Sidoqoftë, ky projektligj pritet të diskutohet edhe në komisionet e tjera dhe do të jetë Kuvendi i Kosovës që do të thotë fjalën përfundimtare.

Top Channel