“Lob homoseksualësh” në Vatikan

12/06/2013 00:00

Brenda administratës së Vatikanit ka një “lob homoseksualësh” dhe Papa Françesku është në dijeni të tij.

Kështu raportohet në mediat amerikano-latine. Sipas këtyre mediave, deklarata konfirmuese për “lobin homoseksual” brenda Selisë së Shenjtë është bërë nga vetë Papa Françesku, gjatë një takimi që ky i fundit ka patur me një delegacion klerikësh amerikano-jugorë.

Sipas raportimeve, Papa është treguar i hapur me drejtuesit e lartë të kishës katolikë në Amerikën Latine, duke u folur atyre për problematikat e Vatikanit. Ai ka pranuar “lobin homoseksual” dhe korrupsionin.

“Ka njerëz të mirë, njerëz të shenjtë në administratë, por ka gjithashtu edhe korrupsion”, citohet Ati i Shenjtë nga mediat amerikano-latine duke vijuar më tej: Vatikani duhet të shohë se cfarë mund të bëjë në të ardhmen sa i përket “lobit homoseksual”.

Në ditët e fundit të drejtimit të Vatikanit nga Papa Benedikti i XVI, në mediat italiane qarkulluan zëra se një grup klerikësh të lobit homoseksual, po punonin së bashku për të arritur objektivat e tyre personalë. Pati zëra madje se ishte pikërisht ky grup që detyroi Benediktin të japë dorëheqjen, duke u shndërruar në precedentë pas 6 shekujsh.

Për momentin Vatikani zyrtarisht mohon të gjitha këto zëra. Selia e Shenjtë disa herë është shprehur kategorikisht kundër të gjitha marrëdhënieve homoseksuale.

Top Channel