Libi, sulmohet mjeti i diplomatëve italianë

12/06/2013 05:00

Një fuoristradë, që i përkiste diplomatëve italianë, duket se ka qenë shënjestër e një bombe artizanale në kryeqytetin e Libisë, Tripoli, bën të ditur agjencia shtetërore e lajmeve, LANA.

Fuoristrada është dëmtuar rëndë dhe xhamat e saj janë thyer nga shpërthimi, por asnjë nuk është plagosur, njofton agjencia e lajmeve. Raportohet të kenë qenë 2 punonjës të ambasadës në makinë, por që kanë arritur të dalin nga mjeti përpara shpërthimit.

Faqja në Facebook e Komitetit Suprem të Sigurisë, në Tripoli, njoftonte se zyrtarët dyshonin se mjetit të tipit Toyota Previa, i ishte vënë bomba dhe rrethuan menjëherë zonën. Shpërthimi ndodhi përpara se skuadra e çaktivizimit të bombave të mbërrinte.

LANA bëri të ditur se zyrtarët dyshojnë për një bombë artizanale të vogël, me lënë xhelatine plasëse, të përdorur gjatë sulmit.

Shpërthimi ndodhi pranë një stacioni policie, në distriktin Zaëiyat al-Dahmani. Ambasada italiane është në të njëjtin distrikt. Italianët në Libi janë shënjestruar edhe më herët, gjatë këtij viti.

Në janar, një i armatosur vuri në shënjestër makinën e konsullit të përgjithshëm italian në Benghazi. Guido de Sanctis ndodhej në një makinë të blinduar dhe po e nxirrte nga garazhdi atë, teksa agresori po i afrohej automjetit dhe hapi zjarr ndaj tij.

Benghazi është arena e sulmeve të 11 shtatorit gjithashtu, ndaj konsullatës amerikane, ku mbetën të vrarë 4 shtetas amerikanë, përfshi këtu edhe Ambasadorin Christopher Stevens.

Top Channel