Në një stil krejt ndryshe nga inskenimet e kësaj legjende, të cilat jemi mësuar t’i shohim, kësaj radhe, regjisori Marsel Lesko sjell dramën, poemën, koreografinë e muzikën në formë rituali.

“Tematikat tona, ku ne veprojmë, jetojmë e marrim frymë, janë thelbi i jetës dhe gjithë ajo që e rrethon jetën. Kështu që, kush më mirë se Rozafa… Pastaj, sa më shumë muaj që kalojnë, më shumë më thërret qumështi”, tha Marsel Lesko, regjisor.

Trupa, e përbërë nga dy italianë dhe dy shqiptarë, luajti për herë të parë në Prishtinë.

“Rozafa nuk është vetëm nëna e shqiptarëve, por i përket të gjithëve”, tha Magda Saba, aktore.

“Tingujt bashkohen me ritmin ose me rënien e timpanëve, me tingujt e pianos, me lëvizjet e Magdës”, tha Robert Bisha, aktor.

Projekti erdhi në Kosovë me përkrahjen e Ambasadës së Italisë në Prishtinë dhe Shoqatës për Zhvillim të Turizimit Kulturor në Shqipëri, për shkak të vlerave kulturore shqiptare, që ka brenda saj si legjendë.

“Vjet e kemi nisur këtë projekt në dy vende, në Shqipëri e Mal të Zi, ndërsa sivjet menduam ta sillnim në Kosovë. Do ta risjellim sërish në Shqipëri, sepse ajo është shumë e madhe, ka shumë qytete, ku duhet prezantuar kjo vlerë unike e trashëgimisë kulturore shqiptare. Kjo iniciativë e shoqatës u përqafua dhe u ndoq me shumë kënaqësi nga trupa ‘AION teatër’”, tha Armada Molla, drejtuese e Shoqatës për Zhvillim të Turizmit Kulturor në Shqipëri.

Shfaqja u realizua nga trupa e teatrit AION nga Italia dhe, pas Prishtinës, do të shfaqet edhe në Tiranë.

Top Channel