Korea e Veriut anulon bisedimet me Jugun

12/06/2013 03:50

Korea e Veriut ka ndërprerë bisedimet, të supozuara si të parat ndër vite në nivele të larta, mes zyrtarëve të Veriut dhe Jugut, duke cituar një “sherr” se cilët zyrtarë duhej të takonin palën tjetër, bëri të ditur Ministria e Unifikimit të Jugut.

Veriu ka anuluar bisedimet e së mërkurës, sipas Ministrisë në fjalë, pasi palët pretendonin se rivalët nuk kishin dërguar përfaqësues të denjë të nivelit të lartë, për të udhëhequr delegacionet respektive.

Anulimi kundërshton kështu, atë që shihej si shenja e parë e shkrirjes së marrëdhënieve mes dy Koreve, pas muajsh të tërë të kaluara në tension të madh.

“Qeveria jonë ndien keqardhje për pozicionin e Koresë së Veriut”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Unifikimit të Jugut, Kim Hyung-seok, të martën, në një deklaratë të shkurtër televizive. “Ne nxisim Veriun të rikthehet sërish në tavolinën e negociatave”.

Bisedimet priteshin të fokusoheshin, mes të tjerave, në rigjallërimin e aktivitetit ekonomik. Mes tensioneve, që arritën kulmin muajt e fundit, Veriu ndali aktivitetin në prill në zonën industriale Kaesong, një kompleks i përbashkët industrial dhe simbol i rëndësishëm i bashkëpunimit mes dy vendeve.

Veriu u duk se do të thyente bllokimin ndaj Kaesong-ut, duke lëshuar një propozim të enjen për bisedime. Jugu reagoi pozitivisht ndaj ofertës, duke theksuar se kishte synuar “vazhdimisht” të ulej në bisedime për këtë zonë industriale, që kur Veriu e mbylli atë.

Korea e Jugut, në kërkim të bisedimeve në nivele ministrore, në fillim propozoi ministrin e saj të Unifikimit, si lider të delegacionit. Por, ndërroi mendje, kur Veriu ofroi si lider të delegacionit të tij, Kang Ji Yong, drejtor i Sekretariatit të Komitetit për Riunifikim Paqësor të Koreve.

Jugu kërkonte të takohej me kreun e Departamentit të Frontit të Bashkuar, në partinë e Punëtorëve në pushtet në Veri, siç njofton agjencia e lajmeve të Jugut, Yonhap.

Ndaj dhe Jugu propozoi më pas zëvendës-ministrin e Unifikimit, Kim Nam-sik, si liderin e tyre. Por nga kjo lëvizje Veriu nuk mbeti i impresionuar.

“Veriu e quajti ndryshimin e liderit tonë negociator, pra zëvendës-ministrin, një tallje dhe u tërhoq nga bisedimet e planifikuara për të mërkurën”, tha zëdhënësi Kim, të martën, pas ditëve të tëra përgatitore për bisedime.

Top Channel