Doganat kosovare vetëm në 5 muajt e parë të këtij viti kanë arritur të mbledhin rreth 292 milionë euro të ardhura. Krahasur me periudhën e njëjtë kohore të vitit të shkuar shënohet një rritje prej 4.5%. Ndërkohë, sa iu përket pikave kufitare në veri të Kosovës dhe kontrabandës nuk duket se ka ndryshme të dukshme.

“Muajin maj e kemi mbyllur me rreth 292 milionë euro të hyra, që në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka një rritje prej 4.5%. Jemi më pak se ajo që kishim parashikuar, por tani po provojmë që të gjejmë fushat pa bërë pengesa serioze në mbarëvajtjen e biznesit dhe të arrijmë që deri në fund të vitit ta përmbushim projeksionin që shkon në 8% më shumë se në vitin 2012”, ka deklaruar drejtori i Doganës, Naim Huruglica.

I pyetur nëse ka ndryshuar qëndrimin ndaj kontrabandistëve në veri që nga arritja e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, drejtuesi i doganave kosovare ka thënë se, aktualisht gjendja ka mbetur e njëjtë, por, sipas tij, ka rënë niveli i kontrabandës edhe pse ende ekziston.

“Qasja nuk ka ndryshuar. Nga momenti që kemi bërë punën e përbashkët me autoritetet serbe është më e vështirë për kontrabandistët që të fusin kontrabandë në Kosovë nëse tentojnë që në njërën anë të përfitojnë lirimet, sepse ju e dini që legjislacioni është i njëjtë, si në Kosovë edhe në Serbi, por për t’u liruar nga tatimet ai duhet të kalojë nga kanali i rregullt. Bashkëpunimi mes autoriteteve të të dyja vendeve e ka zvogëluar kontrabandën, por nuk e ka ndalur tërësisht”, ka shtuar Huruglica.

Këto komente drejtori i doganave i ka bërë gjatë një vizite që ministri i Financave, Besim Beqaj ka zhvilluar në Doganat e Kosovës. Për më tepër, Huruglica ka thënë se dogana po luan rol të madh edhe në mbrojtjen e qytetarëve nga importi i mallrave të ndaluara.

Ai ka pranuar se nuk kanë arritur t’i përmbushin planet që kanë pasur. Sa i përket çështjes së eksportit, ai ka saktësuar se është rritur për 50% në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar dhe se, sipas të dhënave të tyre, nuk janë më vetëm metalet por edhe produktet e gatshme që po eksportohen.

Top Channel