Karta e nacionalizmit në zgjedhje

12/06/2013 00:00

Tashmë fushata elektorale po i drejtohet fundit dhe kjo është faza finale e sulmeve të partive politike në kërkim të votave për zgjedhjet e 23 qershorit.

Natyrisht, votat kërkohen me strategji dhe karta të ndryshme politike. Njëra prej këtyre kartave që është luajtur më shumë, është karta nacionaliste, me parti si AK që e ngritën si tezë.

Sa po ndikon kjo kartë aktualisht në zgjedhjet e shqiptarëve dhe si do të jetë beteja e Tiranës, e cila pritet të jetë përcaktuese për në 23 qershor.

Për të gjitha këto, në studion e Sokol Ballës, në “Top-Story; Shqipëria Vendos”, ishin të ftuar ish-kryeministri dhe kryesuesi i listës së PS-së në Tiranë, Pandeli Majko, kryetari i Partisë për Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, e Skënder Minxhozi, kryeredaktori i Javës.

Përballë tyre, Gazmend Oketa, ish zv/kryeministër dhe deputeti i vendosur i pari në listë për FRD-në në Qarkun e Durrësit, Lysien Bashkurti, numri dy i Alenacës Kuqezi dhe i pari në Durrës, e analisti i njohur Artan Hoxha.

I pari që bëri një ekspoze të gjatë mbi nacionalizmin dhe ndikimin e tij në Shqipëri, avokat Ngjela komentoi: “Në Shqipëri nuk shoh nacionalizëm. Këtu është ngatërruar lufta me tendenca të gabuara, duke kaluar “in extremis” politika që nuk e do patriotizmin. Në politikë, nëse bën një parti si Aleanca dhe kryeministri kalon “in extremis” për të thënë që këtu ka frymë nacionaliste, kjo kauzë ka marrë fund. Në mendimin tim, nuk mund të dalësh me tezën e Hitlerit dhe të thuash që jemi të rrethuar nga shqiptarofobi, si gjermanofobia që ishte nocioni i Gjermanisë Hitleriane”.

Duke u futur në filozofi, Ngjela shtoi: “Kjo është metoda për t’i dhënë nacionalizmit karakterin agresiv e jo përparimtar. Deri tek Makiaveli, nuk ka nacionalizëm, por patriotizëm. Kombi nis me Princin e Makiavelit ku flitet për bashkimin e Italisë. Në kohën tonë, nacionalizmi në Shqipëri ka qenë një patriotizëm, mund të ketë pasur ndonjë ekstrem, por asnjë sens të tillë. Rinia sot është patriotike, edhe emigracioni sepse e kuptuan impaktin që i sjell mungesa e kombit të tyre, e një shteti të fuqishëm, por nuk besoj që nacionalizmi do të luajë ndonjë rol vendimtar”.

Më direkt, mendoj se nuk shoh nacionalizëm, por shoh lidhje të kësaj tendence për thithje votash”, nisi pasqyrimin e tij ish-kryeministri dhe deputeti socialist, Pandeli Majko. “Kemi një brez të ndryshëm nga ai i viteve 1990, me shumë që u larguan edhe me inat nga vendi, me besimin që ky vend s’do të bëhej kurrë. Tani kemi një brez që kërkon identitetin, vjen me cilësi e sasi të re, kushte të reja, të një vendi anëtar i NATO-s dhe të lodhur nga niveli mediokër i debatit publik të politikës shqiptare. Kjo kërkesë për identitet nuk mund të fshihet pas fjalës nacionalizëm dhe pas 1999, kjo ndienjë është shndërruar në një gjenerator e kjo është fatmirësi për kombin, një prej gjërave më të mira që na ka ndodhur e po krijohet në opinion publik, kryesisht nga mediat sociale”.

“E megjithatë”, shtoi Majko, “ky është një konkluzion i prishjes së Jugosllavisë dhe Luftës së Kosovës. Në vitin 1990 kishim Jugosllavinë, Greqinë e Italinë që na krijonin një ndienjë që ndiheshim madje të turpëruar. Patjetër që sot ka një ndienjë, por tani kemi një brez që nuk e kërkon nacionalizmin në sensin pezhorativ”.


Spartak Ngjela dhe Pandeli Majko, gjate debatit te se merkures ne “Top-Story; Shqiperia Vendos 2013”

Ai që e sheh nacionalizmin si një forcë përparimtare dhe të domosdoshme për vendin tonë, është numri dy i Aleancës Kuqezi, zoti Lisien Bashkurti. “A shet nacionalizmi? Ai as nuk shet dhe as nuk blen”, nisi shpjegimin e tij të gjatë Bashkurti. “Falenderoj personalitetet që bënë thelbin e shpjegimit historik, nga Ngjela që tregoi modelin e shtetit në Europë, që është shteti nacional dhe falenderoj Majkon, si një ndër faktorët e paktë të politikës që në këto 15 vjet kanë ringjallur elementët e domosdoshmërisë së forcimit të identitetit. i falenderoj gjithashtu për kontributin kombëtar që kanë dhënë ndër vite”.

Duke u thelluar tek programi i partisë së tij, Bashkurti theksoi: “Aleanca Kuqezi as e ka shpikur dhe as e ka monopol nacionalizmin, as e realizon e vetme këtë. Ne nuk kemi dalë monopolistë në këtë çështje, kjo është kauzë e të gjithë shqiptarëve që dëshirojnë të realizojnë një aspiratë kombëtare. Në nacionalizëm ka nëntë formate, ai territorial, pannacional, segregativ, shovinist, ksenofob, të ekstremit të djathtë, të majtë ekstrem. AK i përket rrymës së nacionalziëm liberal, kjo është e rëndësishme të kupothet se pa këto parime, shndërrohet në një gur për kombin, si në rastin e fashizmit. Kjo që ndodh në këto 20-30 vite demokraci ka prodhuar mbi 55 mijë artikuj negativë për Shqipërinë nga 2003. Dështimi i procesit politik të demokracië, rënia e reputacionit të shtetit, krizat permanente i kanë demoralizuar shqiptarët brenda nesh, duke cënuar vetë kombin”.

Në lidhje me devizën e bashkimit kombëtar të propozuar nga Aleanca Kuqezi, Bashkurti komentoi: “AK nuk po provokon ndienja, por po kërkon të realizojë kombin shqipar mbi bazat e demokracisë liberale dhe demokracia liberale pa identitetin kombëtar është boshe. BE nuk është modeli alternativ , sepse nuk ka një komb Europian, por një bashkësi kombesh të lira, ndaj koha për një patriotizëm me një identitet të qartë shqiptar ka ardhur dhe është vendimtare për të ardhmen e kombit”.

Në syrin e një analisti, për Minxhozin, rezultati i Alencës Kuqezi do të ishte krejtësisht i ndryshëm nëse në votime do të shkohej në vitin 2012.
Në frymën e nacionalizmit që ngjalli 100-vjetori i pavarësisë, entuziasmi kombëtar ishte shumë më i madh, por futja në fushë e dy superfuqive të politikës, PD dhe PS, së bashku me disa elementë të tjerë që kryeredaktori i “Javës” u tregua i vëmendshëm të shpjegonte, ndryshuan këtë barazpeshë.

“Një vit më parë, përgjigja jonë do të ishte më e ndryshme se sa ajo që japim sot. Por, një vit më parë, kishim AK që ishte në fushatë kur të tjerët s’ishin, e po afronte përvjetori shumë i shënuar i 100-vjetorit, që gjithsesi nisi të ndihej që nga vera e fillimi i vjeshtës. Kishim një proces që shndërroi AK në lokomotivën e kësaj ndienje ndaj AK dilte me rezultate dyshifrore në sondazhet e atëhershme. Me këtë forcë tërheqëse, AK futi në lojë edhe kryeministrin, me Berishën që gaboi vazhmidisht e ngjalli reagime ndërkombëtare, ndërsa foli për albanofobi në Mynih, në Shkup tha që s’do të jeni vetëm, në Vlorë pas pavarësisë që të gjithë do i jepte pasaportë e nënshtetësi shqiptare kudo që ishin, e çoi në atë masë këtë rerotikë boshe dhe pa përmbajtje, sa që vijmë tek memoja e famshme e qëndrimit amerikan që artikulohej edhe nga faktorë të tjerë europianë, që ushtroi presion mbi qeverinë dhe palët që kjo rerotikë të zbutej”, tha Minxhozi.

“Për të ardhur tek zgjedhjet, votat po kërkohen me presione, propozime, vota kundër tjetrit, por jo me një retorikë nacionaliste”, vazhdoi Minxhozi, i vëmendshëm për të kapur dy arsye që sipas tij, kanë nxjerrë AK-në nga fushata vizibël elektorale, siç shpjegoi më poshtë. “Berisha është rikthyer në formatin e një njeriu që nuk flet me gjuhën e nëntor-dhjetorit, por kemi edhe një fenomen tjetër që vetë AK ka dalë nga fushata vizibël për dy arsye. E para, “AK” bënte fushatë kur nuk kishte fushatë dhe tani që filloi ajo është konsumuar. E dyta, për shkak të zgjedhjes personale për të qëndruar jashtë koalicioneve të mëdha, u bë jovizibël sepse i tillë është sistemi”.


Lisien Bashkurti, numri dy i Aleances Kuqezi, ne “Top-Story”

Ndaj këtij konstatimi, Bashkurti reagoi duke thënë: “Është e vërtetë që AK ka dalë nga ajo që ju e quani fushata vizibël, por nga ana tjetër, nuk është faji ynë që për të bërë një spot duhen me qindra mijëra e miliona euro për ta transmetuar. Nuk është faji ynë që këto kapacitete të kufizuara kemi, të pakrahasueshme me gjigantët dhe që mediat nuk janë të pavarura, e nuk i transmetojnë zhvillimet tona. Edhe për këtë, AK është futur në këtë fushatë, për të nënvizuar nevojën e krijimit të një shteti ligjor, të një shteti që do të shmangë edhe këto fenomene të shëmtuara, në një fushatë të tillë të egër dhe të padrejtë”.

Ashtu si Aleanca Kuqezi, edhe Fryma e Re Demokratike vendosi që të konkurronte e vetme në këto zgjedhje. Mbi këtë zgjedhje, që në vlerësimin e Minxhozit i kushtoi shtrenjtë AK-së dhe kartën e nacionalizmit, Oketa komentoi: “Ne e kemi thënë që në fillim që aleanca që donim të bënim ishte me qytetarët dhe jo me partitë e mëdha. Në gjykimin tim, partitë politike duhen konsideruar si tullumbace që fryhen apo shfryhen në funksion të numrit të votave”.

“Për të dalë tek tema, efekti tek zgjedhjet, zgjidhja e kësaj çështje, nacionalizmit, kërkon konsesus politik mes forcave dhe një strategji kombëtare, bashkëpunim me partnerët e vendet fqinje ku jetojnë shqiptarët e asnjëra prej këtyre nuk ka ndodhur. Ajo që ka ndodhur janë deklarimet që ndezën gjakrat dhe është fakti që Berisha nuk e përmend më këtë tezë, por në tregimin e rrugës së emigrimit të qytetarëve”, vazhdoi Oketa.

“Mjafton të shohim premtimin për liberalizimin e vizave me SHBA-në, por duke i shkuar deklarimit të nënkryetares dhe kryerares së Kuvendit, kur një studente e pyeti për perspektivën e punësimit, ajo i tregoi historinë e një vajze që erdi në Tiranë, mësoi frëngjisht dhe përfundoi në Strasburg si e punësuar. Sa ndikim ka nacionalizmi do të duhen edhe dhjetë ditë për ta zbuluar, por deri më tash, në të gjithë takimet që FRD ka zhvilluar, nuk është një çështje që ka dalë në plan të parë, siç kanë dalë punësimi, kriza, vështirësitë që familjet shqiptare kanë me jetën e përditshme, korrupsioni janë temat më të prekshme dhe shqetësimet më të mëdha”, çmoi Oketa.

Në sytë e Artan Hoxhës dhe analizës së tij të hollë si analist, se përse është zbehur fenomeni i “AK”-së, ai tha: “Them që kemi një klasë politike ka një përvojë të mirë 23-vjeçare në pluralizëm dhe di të lexojë kush është prioriteti i qytetarit për të harruar në mënryë efektive. Ndodhemi në një moment, sikur dy “superfuqitë” të futeshin me temën nacionaliste me pasionin e AK-së e kjo jo vetëm që s’do i kishte çuar kurrkund, por do të linin edhe kokrën e namit. Qytetarët ndihen më mirë me atdheun se 10 apo 20 vite më parë e natyrisht që kjo klasë e këta qytetarë s’kishin si të mos garonin me tematikën e sotme të larmishme dhe të shëndetshme. Prandaj them që pritej, siç edhe e kemi diskutuar, që nëse gjatë 2012 kishte një atmosferë festive, ajo aq zgjati dhe gjërat erdhën në frymën normale e dihej që AK do të zbehej kur në fushë do të hynin dy bajlozët e mëdhenj”.

Megjithatë, duke u rikthyer tek roli i forcës së tij, Bashkurti shpjegoi në mënyrë të detajuar programin e Aleancës Kuqezi. “AK u prit në mënyrë asimetrike, ndryshe ishte reagimi në media dhe ndryshe nga opinioni publik e kjo ka qenë ajo që na ka shqetësuar. Megjithatë, të flasësh sot për punësim, e të mos flasësh për sistemin ekonomik kombëtar të Shqipërisë është një mashtrim i madh. Shqipëria nuk e zgjidh punësimin me 150 mijë vende pune, nga nafta ne jemi pas Azerbajxhanit dhe naftën nuk e kemi sot. Kromi, i dyti në Europë, nuk e kanë shqiptarët. Bakrin nuk e kanë dhe nuk e gëzojnë shqiptarët. Bujqësia shfrytëzon 200 mijë hektarë, e 600 mijë jo. Kur ke rrënuar sistemin ekonomik kombëtar, si do ta prodhojnë dy partitë e mëdha këto vende pune, kur kostoja për një vend pune sot në Europë është 20 mijë euro. Ku do të gjenden 6 miliardë euro. Nacionalizmi dhe mjedisi, një pikë e dytë e programit tonë, sot nga fabrika e tullave në Durrës dhe çimento në Krujë po krijohen përditë raste me kancer. Kjo është goditja më fatale që sjell vdekje me dashje, e pse i trembemi nacionalizmit? Se duam të ngremë sistemin ekonomik shqiptar”, tha me një ton të prerë Bashkurti.


Gazmend Oketa, nenkryetari i FRD-se, ne debatin mbi nacionalizmin dhe zhvillimet e tjera zgjedhore ne vend

Në marrjen e fjalës, Majko deshi të kundërshtonte të pranishmit e tjerë në studio, për përdorimin e mendësisë së “dy bajlozëve” të politikës shqiptare. “Nuk mund të ecim me mendimin që ka dy bajlozë që janë njësoj. A po e zhvillojmë fushatën në një vend që funksionon si duhet? Problemi që njerëzit kanë sot për politikën, nuk mund të lidhet me një diskutim racional, që të flasësh nga pikëpamja skematike, që do të flitej me tematikë, strategji punësim. Por, ne sot, sinqerisht jam jo i mërzitur, e as i habitur, por të them që ecim në një terren ku është shumë e vështirë qoftë të mendosh të bësh fushatë normale, e jo më të parashtrosh ide. Sot, në Shqipëri, çdo të premte dhe të shtunë të trokasin në derë në zonat rurale dhe pranë qyteteve të mëdha dhe të blejnë votën. Sot ka kandidatë të partive që shkojnë e blejnë votën me ushqim, i blejnë varfërinë, i marrin votën dhe kartën e identetit që të blejnë votën e pastaj çfarë vend i Natos jemi ne, ku është bajlozi i majtë që po tentojë të funksionojë me të njëjtat strutktura?”.

Duke lëshuar një apel për votuesit, Majko shtoi:
“Shqipëria po shkon në këto zgjedhje jo me logjikën e racionalitetit me një debat raconal, por ne po shkojmë të mbrojmë votën dhe unë e filloj fushatën si do e mbrojmë dhe si do e numërojmë. Ju garantoj se kush voton 29, nuk e prek njeri e nuk do të ketë asnjë ndryshim, për PS, por vetëm duke votuar 29 nuk na lini në dorë të psikopatëve të paguar për të bërë devijim. Nuk mund të ketë opozitë pas 23 qershorit me logjikë që u vodh edhe këtë radhë dhe demokratët kam përshtypjen, që një pjesë të kësaj neuroze po e shprehin nga mënyra më e keqe e mundshme, me banera e flamuj si Korea e Veriut, duke rritur koston e fushatës në hiperbolizëm”.

Sa ndikim do të ketë modeli Basha në ekuilibrin e hollë të Tiranës? Kjo ishte një tjetër prej çështjeve të debatuara në “Top-Story”. “Majko duket më pesimist sa lideri i tij Rama, i cili aq i sigurt që votat nuk mund të vidhen, sa që nuk ka futur as anëtarë në KQZ”, deklaroi Hoxha. ”Ose kanë filluar të kenë frikë 23-shin ose po e bëni për politikë. Unë Bashën e kam mbështetur në aspektin e modelit të tij të sjelljes konstante elektorale. Për ta kontretizuar, në zgjedhjet e 2011-s, të gjitha partitë që mbështesin kandidatin Basha dy vjet më vonë, me votat e 2009-s në bashkinë e Tiranës ishin vetëm 700 vota më pak. Nuk i hyj çështjes nëse humbi me 10 apo fitoi me 90, por në total krahu i partive që mbështesin Basha kaloi 300 përpara, pra në dy zgjedhjet e fundit, në Tiranë ka pasur praktikisht të njëjtin rezultat. Për çfarë modeli po flasim, kur në Tiranë do të kemi prapë një konstante, si nga 2011 në 2013? Unë nuk shoh ndonjë diferencë as për mirë dhe as për keq. Unë mendoj se në fund do të ketë një shtesë të vogël për Bashën, por me një efekt sado të ngushtë që do të jetë i rëndësishëm si për mirë dhe për keq”, komentoi Hoxha.


Sokol Balla, ne drejtimin e “Top-Story; Shqiperia Vendos 2013”

Për avokat Ngjelën, modeli Basha nuk do të ketë asnjë ndikim, ndërsa ai bëri edhe një koment për tendencat që po vëren në këtë fushatë zgjedhore. “Unë kam shumë pak divergjenca me Majkon, por këtu në këtë mes nuk hyn fare Basha, por ajo që më bën përshtypje është se në të gjithë eksperiencën që kam për votimet në perëndim dhe që se kam të vogël, i tremburi harxhon në mënyrë të tmerrshme në fushatë dhe unë e provova vetë në Kavajë këtë. Mbushja e Tiranës me banderolat e mëdha, njëra pas tjetrës për Partinë Demokratine, nxjerr se problemi qëndron se këta janë humbës dhe njeriu që e ndien humbjen duhet ta dijë ta manaxheojë. Kur humbet ekuilibrin lidershipi, e humb edhe njeriu i thjeshtë e Tirana është mbushur në mënyrë skandaloze me këto banderola e të tjerët i shkojnë mbrapa, duke u bërë një gjullurdi skandaloze. Në Kavajë, bëra eksperiment. Dola në shesh në zgjedhjet lokale dhe nuk shoh në shesh asnjë fotografi të madhe apo të vogël të kryetarit aktual. E gjithë e mbushur me kryetarin korrent, dola dhe thashë paska fituar Roshi. E kështu ndodhi. Unë në këtë zgjedhje, personalisht pres një supernova të Partisë Demokratike, një shpërthim që pritet e në këtë kuadër FRD do të jetë e para që do të fitojë ”, tha Ngjela.

Në një vëzhgim, mbi fushatën zgjedhore në aspektin e pushtetit vendor, Bashkurti deklaroi: “Basha nuk është më kryetar Bashkie i Tiranës dhe as ai i Kamzës. Ata e kanë kthyer institucionin në zyra elektorale të Partisë Demokratike. Për Dakon në Durrës nuk mund ta them, e për këtë e respektoj thellësisht. Durrësi është qyteti më i balancuar, por nuk vuan nga këto pompozitete, vetëm sepse janë respektuar parametrat e pushtetit vendor. Ndërsa në qytetet kur ke PD në krye të bashkisë, është bërë PD-izmi aq vizual, sa është bërë një barbarizëm i tmerrshëm kudo”.

Përballë një komenti të Hoxhës, që e komentoi si nervoze opozitën në prag të këtyre zgjedhjeve, Majko bëri një replikë të gjatë: “Ne jemi të shqetësuar, por nuk jemi të nervozuar. Shqetësimi është që të orientojmë fokusin e njerëzve jo tek manipulimi mediatik, por në gjënë më të rëndësishme që sot është, se sa dhe si do të rriten pensionet dhe taksat si do të ndryshojnë. Sot këto janë shumë të rëndësishme, por ne kemi një detaj që tregon se sa i korruptuar është ky sistem, sepse jemi i vetmi vend anëtar i NATO-s që ditën e votimeve e kemi si ditë beteje, ku mendohet se do të jetë fundi i atyre në pushtet dhe fillimi i një dite të re me diell për ata që do të vijnë. Mendojmë për këtë çdo të ndodhë gjatë natës, si do vidhet vota, si do të manipulohet KQZ, etj, etj. Ky nuk është nervoziëm, por duhet të fokusojmë tek logjika opinionin se kemi një problem të madh që nuk lidhet vetëm me sistemin zgjedhor e ligjet europiane, por kemi një ligj të pashkruar shqiptar që na funksionon në jetën e përditshme. Paguajmë në spital e hipotekë dhe një herë në katër vjet të vvjen dikush të thotë në derë a do lekë. Po t’i, ku i gjen këto që do më japësh?”.

“Jam i shqetësuar si për të majtën, ashtu edhe për të djathtën e këtë ta garantoj. Jam i shqetësuar pasi kjo fushatë gjeneron një kulturë negative, por mbi të gjitha, pyetja që të gjithë shqiptarët shtrojnë është: A do ta përsërisë PD vitin 1996, a do ta përsërisë neurozën e 2011-s dhe 1996-s? Këto zgjedhje nuk janë për të vlerësuar se kush ka cilësitë më të mira apo veset më të këqija, por janë një referendum popullor, për të larguar përfundimisht komunistin e fundit në pushtet në Europë”, nënvizoi Majko në diskursin e tij.

“Me humor do të shtoj se midis kundërshtarëve tuaj kryesorë tek PD, është edhe ai i Kastriot Islamit”, mori fjalën Oketa. “Por, kjo është çështje e së djathtës nëse është përsëri e djathtë. Unë do të këmbëngul përsëri tek çështja e sistemit sepse duke iu referuar edhe asaj që Majko tha më parë, kur thatë që nuk ka bir nëne të prekë 29-n, por detyra e secilit prej nesh është të garantojë votën e secilit prej 66 numrave që janë në atë fletë, ndaj Majko duhet të jetë i shqetësuar njësoj edhe për 66, 65 apo 44”.

“Nëse vazhdojmë me procesin kur sistemi zgjedhor administrohet nga forcat politike, do të jemi ndoshta edhe më keq pas 2 vitesh pasi edhe produkti që do të dalë në këto zgjedhje, do të prodhojë një kuvend të ri pothuajse inekzistent. Për katër vite, mendoj se biem dakord që Kuvendi ishte institucioni më i dobët nga të gjithë institucionet e tjera dhe mbase nuk ka prodhuar asgjë, pavarësist se çdo fundviti thuhej u miratua ky apo ai ligj. Fakti që në listat e dy kampeve të majta, me ne që jemi të djathtët e vërtetë, nuk është asnjë nga anëtarët e komisioneve parlamentare për sigurinë, politikën e jashtme, veprimtarive prodhuese, etj, është një fakt që është  pranuar që ose këta zotëri nuk kanë punuar siç duhet në krye të komisioneve dhe meritojnë të ndërrohen ose listat janë hartuar sipas preferencave të kryetarëve”, shtoi zëvendëskryetari i FRD-së, Oketa.

Top Channel