Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, në vazhdimësinë e axhendës për mbrojtjen e vlerave të luftës, kanë shpërndarë të mërkurën në tërë Kosovën stenda me tekstin: “EULEX is doing Nothing to fight War crimes”.

Në stendat në fjalë, njofton e përditshmja “Express”, janë paraqitur edhe disa prej lokacioneve ku gjatë luftës policia dhe ushtria jugosllave-serbe kanë masakruar popullatën civile shqiptare.

”Është viti i dytë që organizatat nuk kremtojnë 12 qershorin si ditë të paqes, sepse ata që e sollën këtë paqe, po persekutohen padrejtësisht nga EULEX-i në emër të “drejtësisë””, kanë deklaruar organizatat.

Grupimet në fjalë kanë bërë me dije se nuk do të ndalen me kaq, dhe se axhenda e tyre do të zbatohet deri në realizimin e qëllimit.

Publikimi i stendave vjen pasi anëtarët e të ashtuquajturit Grupi i Llapit, Rustem Mustafa, Latif Gashi dhe Nazif Mehmeti u dënuan javën e kaluar me 13 vite burg nën akuzën për krime lufte.

Po ashtu, edhe Grupi i Drenicës, ish-komandati i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Jahir Demaku, Avni Zabeli, Zeqir Demaku dhe Hysni Thaçi, dyshohen  nga prokuroria speciale e EULEX-it për krime lufte në vitin 1998, në Likovc të Drenicës.

Top Channel