Përkujtohet me deklarata falenderuese 14-vjetori i hyrjes së trupave të KFOR-it në Kosovë. 12 qershori i vitit 1999 që shënoi fundin e luftës së përgjakshme, të paktën zyrtarisht, nuk njihet më si “Dita e Çlirimit”.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi respekton ligjin për festat zyrtare, sipas të cilit 12 qershori është “Dita e Paqes”, ndërsa presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi i referohen 12 qershorit “Dita e Lirisë”.

“Dita e Lirisë, 12 qershori, shënon për të gjithë ne, për popullin dhe shtetin e Kosovës, fundin e një epoke shumë të rëndë të historisë dhe fillimin e një etape të re, të ndritshme, të jetës së zhvilliit tonë si shtet dhe shoqëri” thuhet në komunikatën e presidentes Jahjaga.

Nga ana e tij kryeministri Thaçi ka shprehur falenderimin e thellë për fushatën e bombardimeve të NATO-s. Ai nuk ka lënë pa vënë në dukje rëndësinë që sipas tij ka marrëveshja për normalizimin e marrëdhëniëve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë.

Në urimin për “Ditën e Paqes” kryeministri thekson se, Kosova po luan rol të rëndësishsëm në krijimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, ndërsa marrëveshja me Serbinë shënon hapin historik të europianizimit të rajonit.

12 Qershori, apo “Dita e Lirisë” është një nga ditët më të shënuara në kalendarin historik të Kosovës edhe për kryetarin e Kuvendit Jakup Krasniqi. Në deklaratën e tij për media thuhet se, Kosova është një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.

Krasniqi vlerëson faktin që Kosova në rrugën e saj të zhvillimit ekonomik dhe integrimit euroatlantik gëzon mbështetjen e pakufishme të SHBA dhe Bashkimit Europian në rrugën e saj të zhvillimit ekonomik.

Fushata 78-ditore e bombardimeve të NATO-s kundër objektivave ushtarake e policore serbe përfundoi me tërheqjen e trupave serbe nga Kosova dhe futjen e trupave të KFOR-it më 12 qershor 1999.

Top Channel