Turqi, policia futet në sheshin Taksim

11/06/2013 08:00

Policia turke ka hyrë në sheshin Taksim, aty ku protestuesit anti-qeveritarë kanë dy javë që janë grumbulluar. Qindra oficerë policie përdorën gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën.

Ky aksion vjen pasi kryeministri Erdogan pranoi të takohej me protestuesit ditën e mërkurë.

Të mbështetur nga mjete të rënda, policët u mblodhën rreth sheshit në orët e para të ditës së martë dhe sipas BBC kanë ecur përmes barrikadave të protestuesve në një demonstrim force.

Protestat në Stamboll shpërthyen pasi policia ndërhyri me forcë për të shpërndarë një demonstratë paqësore e më pas ato u zgjeruan në qytetet më të mëdha të vendit.

Protestuesit akuzojnë qeverinë e Erdoganit se po bëhet shumë autoritare dhe po përpiqet të vendosë vlerat konservative islamike në një vend laik.

Më shumë se 5 mijë persona janë plagosur dhe tre të tjerë kanë humbur jetën që kur kanë nisur protestat.

Top Channel