Snowden, “i humbur” në Hong Kong

11/06/2013 03:10

Një ish-punonjës i CIA-s, i cili kishte nxjerrë detaje mbi survejimin “top-sekret” amerikan të telefonave dhe internetit, është zhdukur nga hoteli i tij në Hong Kong.

Edward Snowden, 29 vjeç, ka dalë nga hoteli ditën e hënë. Vendndodhja e tij është e panjohur, por besohet se ai gjendet ende në Hong Kong.

Më herët, ai tha se kishte një “detyrim të ndihmonte në lirimin e njerëzve nga shtypja”, duke iu referuar zbulimit të javës së kaluar se agjencitë amerikane ishin duke mbledhur fakte nga përgjimet e miliona telefonatave dhe të dhënave në internet.

Një zëdhënës për zyra e drejtorit të Inteligjencës Kombëtare tha se çështja i është referuar Departamentit të Drejtësisë, si një çështje kriminale.

Ndërkohë, një peticion i publikuar në uebsajtin e Shtëpisë së Bardhë, i cili bën thirrje ndaj Snowden-it, për të kërkuar urgjentisht falje, ka mbledhur mbi 30 mijë firma.

Ai u zbulua si burimi i nxjerrjes së detajeve, me kërkesë të tij, nga gazeta britanike “The Guardian”.

Rrjeti televiziv i Hong Kongut, RTHK, tha se Snoëden kishte bërë daljen nga hoteli “Mira”, të hënën. Ndërsa agjencia e lajmeve “Reuters”, citoi stafin e hotelit të ketë thënë se ai u largua mbasdite.

Hong Kongu, një territor kinez, ka një marrëveshje ekstradimi me Shtetet e Bashkuara, megjithatë analistët thonë se përpjekja për të sjellë Snowden në Amerikë mund të marrë muaj të tërë dhe mund të bllokohet nga Pekini.

Snowden besohet të ketë shkuar në Hong Kong më 20 maj. Një viza standarde për kthimin në atdhe, për një shtetas amerikan, zgjat 90 ditë.

Top Channel