Përpara për në…nazifashizëm

11/06/2013 00:00

ANDREA STEFANI – Kryeministri Sali Berisha e ka vendosur “ndryshimin” si
kryefjalë të fushatës së tij, ndërkohë që ai vetë është një shembull
elokuent i mungesës së ndryshimit. Tashmë afër të shtatëdhjetave,
thuajse i shpallur lider i përjetshëm i PD-së, Berisha, i vetmi lider i
mbetur i kohës së Murit të Berlinit, ka 23 vjet që kundërshton
rotacionin e liderëve dhe elitave që natyrshëm imponon një demokraci e
shëndetshme.

Ndryshimi me udhëheqës të pandryshueshëm?! Një sofizëm të tillë e pretendon çdo regjim totalitar, por kurrsesi një demokraci-liberale. Në demokraci ndryshimi fillon nga koka. Në diktaturë është koka që sjell “ndryshimin” pra, asnjë ndryshim.

***

Por mos ndoshta parulla e PD dhe e koalicionit të saj “Ne jemi ndryshimi” kërkon t’u mbushë mendjen shqiptarëve, si në vitin 2005, se Berisha ka ndryshuar dhe nuk është më ai autokrati i vitit 1996, që vodhi zgjedhjet? Apo as ai autokrati që për hatër të mbajtjes me çdo kusht të pushtetit armatosi fanatikë dhe e çoi Shqipërinë në prag të luftës civile? Ndoshta, por është një mision i pamundur. Sepse i pengon Berisha i Gërdecit ku korrupsioni dhe trafiqet e qeverisë së tij morën jetën e 27 njerëzve dhe plagosën qindra të tjerë, po i njëjti korrupsion që toleroi piramidat financiare ku humbën paratë më shumë se gjysma e shqiptarëve. Sepse i pengon edhe Berisha i 21 janarit që toleroi (në mos urdhëroi) të vriten 4 qytetarë të pafajshëm dhe të plagosen nja 30 të tjerë përpara dritares së zyrës së tij. Ajo masakër u flet shqiptarëve me një elokuencë të përgjakshme se Berisha është po ai autokrati i vjetër dhe i pandryshueshëm i marsit ‘97. I pengon edhe vjedhja e zgjedhjeve në 2009-n, por akoma më hapur edhe në maj 2011 nga po i njëjti Berishë. I pengon edhe puçi i realizuar po nga i njëjti autokrat për të rivendosur shumicën manipulatore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Këto dhe plot të tjera si këto, i bindin shumicën e shqiptarëve që arrijnë të mendojnë me kokën e tyre të paverbuar nga lëmoshat dhe propaganda e pushtetit, se Berisha ka qenë, është dhe do të mbetet sot e mot po Berisha!

***

Ndërkaq nuk mund të mos konstatojmë se është qesharak, dhe pohim i një dështimi kulmor, kur pas 8 vjet qeverisjeje një parti dhe lider rreken të mbajmë pushtetin duke u thënë njerëzve se gjërat duhen ndryshuar pra, nuk duhet të jenë më ashtu si kanë qenë për 8 vjet rresht. Vetë thirrja e Berishës për “ndryshim” është pohimi i vetë koshiencës së tij se shqiptarët janë të mërzitur dhe të paduruar me gjendjen e krijuar nga qeverisja e tij. Prandaj ata duan ndryshimin. Por ndryshimi nuk mund të mos fillojë me largimin e Berishës nga pushteti. Berisha premton një paradoks. Premton ndryshim pa ndryshuar as pushtetin dhe as kokën e pushtetit!

***

Megjithatë, mos vallë Shqipëria nuk ka ndryshuar fare që kur Berisha rimori pushtetin në vitin 2005? Duhet ta pranojmë: Shqipëria po ndryshon! E vetmja pikë kur propaganda e PD nuk gënjen. Por saktësojmë, po ndryshon për keq. Do t’i lëmë mënjanë rëniet e ritmeve të prodhimit, papunësinë kronike, varfërinë masive e deri mjerimin e skajshëm të disa shtresave të shqiptarëve. E dimë që propaganda e Berishës do nisë të justifikohet me pasojat e krizës së përbotshme sikur të mos qe po ajo që deri dje i shurdhoi shqiptarët me mburrjet se kriza nuk mundi ta prekë Shqipërinë. Prandaj do të ndalemi vetëm në një aspekt thelbësor për shtetin ligjor, sundimin e ligjit dhe demokracinë liberale. Është fjala për ndarjen dhe baraspeshimin e pushteteve në shtet. Të gjithë faktet flasin se në këtë rrafsh Shqipëria po rrëshqet praptazi drejt modelit diktatorial nga doli para 23 vjetësh. Tashmë, ndarja e pushteteve në Shqipëri është vetëm një butafori kushtetuese po jo një realitet. Kreu i ekzekutivit ka në dorë vendimmarrjen e legjislativit. Edhe kundërshtimin e opozitës për nismat e tij antikushtetuese e ka mbytur me tiraninë e shumicës të zbatuar me zell të hapur naziskin nga Jozefina Topalli. Me zgjedhjen pa konsensusin e opozitës të një delfini të tij si Nishani në postin e Presidentit të Republikës, Berisha jo vetëm ka rrënuar një balancë por ka shtënë në dorë një pikë strategjike për të sunduar pushtetin e drejtësisë. Tashmë ai ka shtënë në dorë edhe zyrën e Kryeprokurorit, edhe atë të Shërbimit Inteligjent edhe KQZ. Shkurt, pas 8 vjet qeverisje, Berisha ka në dorë të gjithë pushtetet, gjë tipike kjo jo për demokracitë, por për sistemet totalitare komuniste dhe nazifashiste. Ky është ndryshimi që ka sjellë Berisha për 8 vjet!

***

Dhe çfarë i ka mbetur akoma pa kapur? Një pjesë e medias opozitare dhe të pavarur. I ka mbetur pa kapur opozita politike që i rrezikon seriozisht pushtetin dhe që prandaj, si tipikisht një autokrat, e anatemon “armike të popullit”. Por mbi të gjitha, ka përballë dhe kundërshtuese pjesën dërrmuese të shqiptarëve që mezi presin çlirimin prej tij me votë. Votë që po bën gjithçka që t’ua vjedhë dhe manipulojë. Ne jemi ndryshimi, përpara! – bërtet Berisha. Dhe, ndërsa akuzon Edi Ramën për kompleks të Edipit, turret praptazi drejt mitrës së diktaturës nga ka dalë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA