Përmbytjet në Gjermani

11/06/2013 00:20

Të paktën 23 mijë persona u detyruan të braktisin shtëpitë në qytetin e Magdeburg-ut, në lindje të Gjermanisë, pas shembjes së digës mbi lumin Elba.

Në kryeqendrën e landit të Saksoni-Anhalt-it, niveli i ujrave arriti në 7,44 metra, thuajse 4 herë më shumë se normalja prej 2 metrash, duke detyruar mbi 10% të popullsisë të largohet nga shtëpitë.

Të paktën 700 ushtarë punuan për të ndërtuar një barrierë të thasëve me rërë, rreth nënstacionit në zonën e Rothense.

Gazeta “SuedeDojce Cajtung” raportoi për rënien e nivelit të ujit, të hënën, por edhe se situata mbetet kritike. Autoritetet në Gjermani po hetojnë një letër anomime, ku flitet për sulme ndaj digave.

Motivi është i panjohur, por siç raporton korrespondenti i BBC-së, në Berlin kërcënimi është marrë seriozisht. Media gjermane raportoi se kancelarja Angela Merkel po planifikon një takim me krerët e landeve, për të diskutuar mbi ndarjen e faturës së dëmit.

Në Hungari, të paktën 1200 persona po lënë shtëpitë, por gardhet mbrojtëse në kryeqytetin Budapest po rezistojnë, megjithëse të dielën, lumi Danub arriti nivelin e tij historik prej 8,91 metrash.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, deklaroi se kryeqyteti i vendit është jashtë rrezikut, por shpjegoi se të gjitha përpjekjet janë përqendruar në jug të vendit. Të paktën 19 persona humbën jetën në Europën Qendrore, pas përmbytjeve dhe sipas ekspertëve do të duhen miliarda euro për të pastruar dëmin.

Top Channel