Rikthimi i inspektorëve të kreditorëve të huaj në Athinë për fillimin e një cikli të ri vlerësimi të ekonomis, e gjen Greqinë përballë një sërë zhvillimesh negative.
Në një situatë tepër kritike, qeveria Samaras që të sigurojë këstin e qershorit prej 3.3 miliardë euro duhet të pushojë nga puna 2.000 nënpunës të administratës shtetërore brenda këtij muaji dhe mbi 12.500 të tjerë deri në fund të vitit 2014.
Ekzekutivi duhet gjithashtu të japë shembuj konkretë për luftën ndaj evazionit fiskal, kryerjen e privatizimeve dhe mbylljen e disa kompanive shtetërore.
Megjithëse grekët panë pagat e tyre dhe pensionet gati të përgjysmuara në këto katër vjet krize, papunësinë në 27%, taksat të katërfishuara, shumë biznese të mbyllura dhe vendin për të gjashtin vit në reçesion, muajt e fundit në tregje u krijua një fryme optimiste dhe të gjithë filluan të flisnin për suksesin grek.
Por befas retë e zeza mbi Greqinë jane kthyer përsëri para disa ditësh, kur raporti i FMN-së jo vetëm që e cilësoi të gabuar programin e masave të kursimit, por akuzonte dhe BE-në se kishte përdorur Athinën për të shpëtuar disa vende të eurozonës.
FMN kërkon tani reduktim të domosdoshëm te borxhit kolosal grek, që e konsideron të paqëndrueshem, duke aluduar se nese nuk realizohet, mund të largohet nga trojka.
Por edhe Berlini ka deklaruar në orët e fundit se nëse borxhi grek nuk reduktohet do të heqë dorë nga ndihma për Greqinë, kur dihet që ai është kreditori kryesor i paketës së ndihmës për Athinën.
Sipas agjencisë “Reuters”, në një analizë të ngjarjeve të fundit, nëse trojka, ky bashkim i krijuar për të shpëtuar vendet problematike, do të ishte ekip futbolli, në këto momente do t’i duhej të kërkonte një trajner të ri.
Kjo për faktin se ka arritur një fitore historike në rastin e Irlandës, një barazim në rastin e Portugalisë dhe një humbje në rastin e Greqisë.
Pasojë e kontradiktave mes BE-së dhe FMN-së thuhet se është dhe dështimi i tenderit për privatizimin e operatorit shtetëror të gazit natyror të Greqisë, që kërkohej nga dy gjigandët rusë “Sintez” dhe “Gazprom”, të cilët kanë tërhequr kërkesat vetëm disa orë më parë pasi ato i ka kundërshtruar Komisioni i Transparencës së BE.
Zhvillimet negative të orëve të fundit kanë bërë që bursa e Athinës të pësojë një rënie të ndjeshme prej pesë pikësh.
Top Channel