Irak, sulme terroriste, dhjetëra të vrarë

11/06/2013 15:50

Të pakten 70 persona mbetën të vrarë, në një seri shpërthimesh që tronditën ditën e martë Irakun Qëndror dhe Verior, informuan burimet zyrtare.

Dy autobomba dhe një sulm vetvrasës në një treg popullor në qytetin e mbizotëruar nga popullsia shiite të Judaida al-Shatit, lanë të paktën 13 të vdekur dhe 24 të plagosur.

Pak minuta më vonë, një autobombë shpërtheu në një postobllok, duke vrarë 24 persona në qytetin verior të mbizotëruar nga popullsia sunite e Mosulit.

Dhjetëra persona të tjerë mbetën të vrarë në valë të tjera sulmesh në Kirkuk, Taji, Tikrit dhe Tuz Khurmato.

Muaji i shkuar ishte më i përgjakshmi në Irak që prej qershorit 2008, me mbi 1 045 civilë dhe anëtarë të forcave të sigurisë të vrarë, sipas të dhënave të grumbulluara nga Organziata e Kombeve të Bashkuara.

Për Irakun, një shtet me 31 milionë banorë, po rezulton problematike ndarja fetare dhe etnike e popullsisë.

Në vend, sipas statistikave, 60% e popullsisë janë shiitë, rreth 35% sunitë dhe 5% tjetër të krishterë apo anëtarë të besimeve të tjera.

Ndërsa etnia është e ndarë në 75% arabë, 20% kurdë, asirianë, turkomanë dhe të tjerë me rreth 5%.

Përleshjet në shtim, me bazë urrejtjen ndërfetare dhe ndëretnike, sipas ekspertëve, po vënë në rrezik edhe vetë ekzistencën e shtetit, pasi Iraku është gjithmonë e më i kërcënuar nga një luftë e mirëfilltë civile, nëse nuk do të merren masa të menjëhershme për të rikthyer rendin në vend.

Top Channel