Francë, qindra fluturime të anulluara

11/06/2013 15:50

Gjysma e fluturimeve që lidhin qytetet kryesore franceze me pjesën tjetër të vendit dhe destinacione ndërkombëtare u anulluan këtë të martë, pasi kontrollorët e trafikut ajror nisën një grevë tre-ditore, kundër planeve të BE-së për të formuar një hapësirë të vetme ajrore europiane.

Sipas kontrollorëve, plani për të formuar “Single European Sky” (SES) do të dëmtojë sigurinë publike dhe përkeqësojë kushtet e punës, përveçse do të sjellë edhe shumë shkurtime mes stafit të tyre.

Anullime fluturimesh pritet të ndodhin edhe në shtete të tjera europiane, ku punonjësit e trafikut ajror kanë deklaruar solidarizimin e tyre me këtë grevë gjatë të mërkurës.

Shërbimi i Aviacionit Civil Francez informoi se si rrjedhojë e grevës, gjysma e fluturimeve hyrëse dhe dalëse nga Parisi, Lioni, Tuluza e Bordoja u anulluan.

Plani i SES ka si qëllim që të reduktojë kostot për kompanitë ajrore dhe të qëndërzojë sistemin e kontrollit ajror, në një “superqendër” të vetme.

Aktualisht, linjat ajrore realizojnë mesatarisht 42 kilometra të panevojshme rrugë në qarkullimin hyrës dhe dalës nga aeroportet, që përkthehet në kosto të mëdha financiare.

Megjithatë, për mbështetësit e sistemit aktual që ndan hapësirën ajrore europiane në disa blloqe, bashkimi i të gjithë blloqeve në një të vetëm do ta bënte sistemin shumë më të koklavitur dhe të vështirë për t’u kontrolluar.

Top Channel