Britani, kritika regjimit të vizave

11/06/2013 01:50

Deputetë nga tërë spektri politik parlamentar kanë kritikuar politikën e emigracionit të qeverisë së kryeministrit Cameron, pasi sipas tyre, rregullat e reja të marrjes së vizave dhe bashkimeve familjare po shkatërrojnë familjet dhe kanë lënë me mijëra britanikë në pamundësinë e të jetuarit me gratë dhe partnerët e tyre, duke ndikuar edhe te fëmijët në shumë raste.

Deputetët kanë kërkuar rishikimin urgjent të rregullave për bashkimet familjare, të cilët u vendosën korrikun e kaluar, të cilat, sipas deputetëve, po u shkaktojnë dhimbje dhe vuajtje shtetasve britanikë dhe familjeve të tyre.

Sipas këtyre rregullave të reja, çdo shtetas britanik, që dëshiron të marrë vizën për bashkimin familijar për gruan ose bashkëshortin, nga vendet që nuk janë në Bashkimin Europian, do të duhet të demostrojnë se kanë të ardhura jo më pak se 18 mijë stërlina në vit, ose 22 mijë stërlina, nëse kanë një fëmijë dhe 2,400 stërlina të tjera për çdo fëmijë tjetër.

Një zëdhënëse e Emigracionit tha se, rregullat për bashkimet familijare janë hartuar që, ata që duan të vijnë në Britani për t’u bashkuar me bashkëshortet apo partnerët nuk do të shndërrohen në barrë për taksapaguesit britanikë.

Sipas disa të dhënave, rreth 47% e popullsisë së zënë në punë, në Britani, nuk do kishte përmbushur këtë kriter financiar të ardhurash për ribashkimin familjar.

Ndërsa, sipas vlerësimeve të qeverisë britanike, rreth 18 mijë veta me shtetësi britanike do pengohen çdo vit nga ribashkimi familjar, si rezultat i rregullave të reja.

Mbetet të shihet, nëse kërkesa e deputetëve të të gjithë spektrit politik do të kenë ndonjë ndikim në rishikimin e këtyre rregullave, që prekin ndër të tjera edhe një masë të madhe shtetasish, që kanë marrë shtetësinë britanike, përfshi edhe shumë shqiptarë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA