
Borussia e Dortmundit vendosi që të trefishojë pagën e sulmuesit polak, Robert Lewandowski, për vitin e fundit të kontratës.
Lajmi u publikua në të përditshmen gjermane “Bild”, që citoi burime të brendshme tek nënkampionët e Europës dhe Gjermanisë në fuqi.
Kjo rritje e page, e cila vjen pa një rinovim kontrate, konsiderohet një shpërblim i klubit për rendimentin e mirë të 25-vjeçarit gjatë vitit të shkuar.
Njëkohësisht, kjo lëvizje pason deklaratën e drejtorit të përgjithshëm, Watzke, mbi faktin se Borussia është e vendosur që të mbajë polakun, edhe nëse ai do të largohet në verën e 2014-s me parametra zero.
Me këtë trefishim të pagës, Lewandowski do të fitojë në vitin e fundit të kontratës 4,5 milionë euro, duke u barazuar me dy futbollistët e përfaqësueses gjermane, Mats Hummels dhe Marco Reus.
Aktualisht, Bajerni është klubi që ka shfaqur interesimin më të fortë për sulmuesin e përfaqësues polake, por Borusia e ka përjashtuar kategorikisht mundësinë që ai të kalojë në “Allianz Arena”.
Reali i Madridit, Chelsea dhe Manchester United gjithashtu kanë shfaqur interesim për të përvetësuar shërbimet e tij, që në këtë sezon.
Top Channel