Me motivacionin për përkrahje të Kosovës në rrafsh kombëtar e ndërkombëtar, kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha merr titullin Qytetar Nderi i Prishtinës.

Ky nder iu bë atij në 14 vjetorin e çlirimit të kryeqytetit kosovar në një ceremoni solemne në Prishtinë. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa tha se festa në ditën e çlirimit këtë vit është më ndryshe sepse ajo bëhet bashkë me Tiranën.

Mustafa kujtoi përkushtimin e presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova për ndërtimin e shtetit dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai theksoi se sakrifica e dëshmorëve të rënë për liri duhe të nderohet me punë për forcimin e shtetit të Kosovës.

Për zotin Basha, titulli Qytetar Nderi i Prishtinës nënkupton frymëzim më të madh për të forcuar bashkëpunimin mes dy shteteve. Ai tha se është koha që kombi shqiptar të ulet në tryezën e Europës për të integruar me sukses kulturën e lashtë të shqiptarëve.

I pyetur nga gazetarët për përmendjen e emrit të tij si person që ka kontribuar në mbledhjen e dëshmive kundër UÇK-së në kohën kur punonte në UNMIK, Basha tha se askush nuk mund të njollosë luftën e UÇK-së. Çdo përpjekje, sipas tij, për njollosjen e saj ka në thelb paragjykimet ndaj shqiptarëve.

“Askush dhe asgjë nuk mund të njollos luftën e drejt të UÇK-së për çlirimin e Kosovës. Dhe askush dhe asgjë nuk mund të ndërhyjë dhe të përçajë atë që ne kemi së toku, që është qëndrimi i njëjtë dhe pa asnjë dallim ndaj heronjve tanë, ndaj punës së tyre dhe ndaj drejtësisë së kësaj lufte. Nga ana tjetër ka pasur krime lufte, ka pasur një punë për t’i evidentuar ato dhe unë ndjehem krenar që kam qenë pjesë e kësaj përpjekje. Çdo përpjekje për të demonizuar këtë luftë është primitive dhe ka në thelb paragjykime ndaj shqiptarëve”, deklaroi Basha.

Në ceremoninë solemne mori pjesë edhe ish-komandanti i zonës operative të Llapit, Rustem Mustafa, i dënuar pak ditë më parë nga gjykata për krimet e luftës në Kosovë.

Ndërsa kujtoi zbarkimin e forcave të UÇK-së më 11 qershor, një ditë para se të hynin forcat tokësore të KFOR-it, Mustafa falenderoi Tiranën zyrtare për ndihmën që i kishte dhënë UÇK-së gjatë luftës.

Ish-komandanti i UÇK-së kërkoi nga kreu i komunës së Prishtinës që të ndërtojë një obelisk në sheshin Nënë Tereza, ku do të kujtoheshin të gjithë dëshmorët e rënë për lirinë e Kosovës.

Top Channel