Gjykata Themelore në Prishtinë i ka zgjatur paraburgimin me katër muaj Naser Kelmendit, i njohur ndryshe si bosi i narkotikëve të Ballkanit.

Zgjatja është vendosur me kërkesë të prokurorit të EULEX-it nga zyra e Prokurorisë Speciale të Kosovës, i cili ka nisur hetimin e rastit, bën të ditur “REL”, që citon zëdhënësin e misionit evropian.

Blerim Krasniqi ka saktësuar se Kelmendi është në hetim për një sërë veprash penale, që përfshijnë krimin e organizuar. Zëdhënësi ka shtuar më tej se për ekstradimin e tij nuk vendos misioni i EULEX-it, por Ministria e Drejtësisë e Kosovës.

Naser Kelmendi u arrestua më 5 maj në Kosovë, në bazë të një urdhër-arresti të Interpolit. Familja me të njëjtin emër dyshohet për drejtimin e një organizate kriminale të madhe që merret me trafikimin e heroinës dhe kokainës që në Evropë transportohen nëpërmjet Ballkanit.

Familja në fjalë dyshohet gjithashtu se zotëron një numër të madh biznesesh në Bosnjë, Mal të Zi, Serbi dhe Kosovë, përfshirë hotele dhe një kompani kamionësh.

Muajin e kaluar gjykata e Prishtinës dënoi me katër vjet burgim Elvis Kelmendin, djali i Naser Kelmendit, i dyshuar për përfshirje në disa vepra penale që ndërlidhen me krimin e organizuar.

Ndërsa pak ditë më vonë ishte policia malazeze që vuri në pranga Liridon Kelmendin, djali i dytë i bosit ballkanas të drogës, në bazë të një kërkese të policisë së qytetit të Kotorit.

Top Channel