Ambjentalistë dhe qytetarë kanë kërkuar ndaljen e prerjes së pemëve pranë lulishtes tek Parlamenti i Shqipërisë.
Atje pritet të ndërtohet jo vetëm xhamia e re e komunitetit mysliman, por edhe dy qendra të mëdha biznesi, edhe pse jo të miratuara në planin urbanistik të Tiranës.
“Ata mendojnë se kjo hapësirë është e përshtatshme jo vetëm për një xhami, por edhe për dy vepra të tjera urbane. Nuk mund të mendosh të kesh një Parlament kaq afër me xhaminë dhe qendrat tregtare”, ka deklaruar ambjentalisti Sazan Guri.
“Kryetari i bashkisë po shkel kushtetutën e Tiranës që nuk lejon cënimin e hapësirave të gjelbra të kryeqytetit, të frustruara me ndërtime”, ka denoncuar ambjentalisti tjetër Lavdosh Ferruni.
Edhe vetë besimtarët myslimanë shprehen kundër kësaj nisme. “Flas së pari si qytetare dhe së dyti si myslimane e devotshme. Duhet të gjendet një formë tjetër. Të prishësh hapësirën e gjelbër nuk ka kuptim”, ka thënë një qytetare.
Ajo është ndër lulishtet e pakta të mbetura në kryeqytet, e cila pritet të kthehet shumë shpejt në një shesh ndërtimi. Ambjentalisti Sazan Guri i ka drejtuar një thirrje qytetarëve shqiptarë që të reagojnë për mbrojtjen e hapësirave të gjelbërta.
“Do t’i bëja një thirrje qytetarëve që të mos mbushin sheshet për fushatat, por t’i mbushin ato për atë që po i bëhet vendit. Nëse ata nuk pyesin për jetën e tyre, të pyesin për atë të fëmijëve të tyre”, ka thënë Guri.
Top Channel