Ka përfunduar të hënën seanca gjyqësore ndaj ish-ministrit të Transportit, Fatmir Limaj dhe të tjerëve në rastin e dyshuar për korrupsion.
Gjyqtarja e rastit, Adamska Gallant, ka paralajmëruar se gjykata pritet ta shpallë vendimin për konfirmim apo jo të aktakuzës në mesin e muajit korrik të këtij viti.
Në seacën gjyqësore, prokurori i rastit, Johanes Picket, ka kërkuar konfirmimin e aktakuzës nga ana e gjykatës, raportojnë mediat lokale.
Ndërkohë, parashtresat të cilat i kanë ofruar avokatët si kundërshtim të aktakuzës se nuk ka prova për këtë rast, prokurori i EULEX-it i quajti të papranueshme.
Në anën tjetër, mbrojtja e Limajt dhe të tjerëve është shprehur optimiste se nuk do të ketë konfirmim të aktakuzës. Mbrojtja e Limajt tha se prokurori i rastit shkeli dispozitat ligjore kur ia la në dorë intervistimin e të akuzuarve një këshilltari ligjor.
Avokatët e kanë quajtur antiligjor faktin se në periudhën e intervisitimit të akuzuarit janë marrë në pyetje nga këshilltari ligjor e jo nga prokurori, siç është dashur, meqë sipas tyre me Kodin e Proçedurës Penale nuk lejohet një gjë e tillë.
“Këshilltari ligjor s’mund ta ushtrojë autoritetin e prokurorit, pasi prokurori është ai që bën hetime dhe merr në pyetje. Pra, kjo ka qenë e paligjshme”, citohet të ketë thënë avokati Tahir Rrecaj.
Top Channel