Mungesa e deputetëve në seanca parlamentare po bëhet e shpeshtë në Kuvendin e Kosovës. Ditë më parë, në mungesë të numrit të domosdoshëm të deputetëve të cilët duhet të jenë prezentë në seancë në mënyrë që të mund të zhvillohen punimet, u shty votimi i Rezolutës për Luginën e Preshevës.

Kështu ndodhi edhe javën e kaluar ku në rend të ditës ishin disa rekomandime, votimi i të cilave është shtyrë për seancën e ardhshme. Për këtë dukuri, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë se partitë politike duhet ta diskutojnë këtë çështje me deputetët e tyre.

“Kjo do të duhej të zgjidhej nga shefat e grupeve parlamentare, që do të thotë nga shefat e partive politike që janë të përfaqësuara në Kuvend. Ata do të duhej të mbanin përgjegjësi për prezencën ose mos prezencën e deputetëve të Kuvendit. Deputetët do të duhej të ishin në përgjegjësinë e tyre, pasi ata nuk përfaqësojnë vetveten në këtë institucion, por përfaqësojnë qytetarët e Kosovës dhe realisht ai varet nga vullneti dhe përgjegjësia e tyre”, ka deklaruar Krasniqi.

Këto komente kryetari Krasniqi i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku u vendos që këtë të enjte të mbahen dy seanca. Njëra do të jetë vazhdim i së kaluarës që u ndërpre pikërisht në mungesë të kuorumit dhe tjetra do të jetë seancë e rregullt pune.

Top Channel