Çeku: Akuza tendencioze ndaj UÇK-së

10/06/2013 15:55

Thyen heshtjen ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku. Të hënën ai ka deklaruar se kurrë nuk ka parë dhe kurrë nuk ka urdhëruar krime gjatë kohës së luftës.

Madje, edhe personat që kanë qenë pranë tij nuk kanë bërë asnjë veprim që bie ndesh me ligjin e luftës apo që konsiderohet vepër penale.

“Absolutisht. Ajo që ata kanë qenë në gjendje të bënin gjatë luftës ishte të jepnin gjithça për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë. Askush nuk mund të më bindë që UÇK-ja ka bërë krime lufte apo diçka të tillë. Për mua janë të papranueshme dhe tendencioze akuzat që ngrihen. Është dëshmuar se sa herë ka pasur përpjekje për të dënuar komandantët e UÇK-së, edhe këtu edhe në Hagë, ato përpjekje kanë dështuar dhe do vazhdojnë të dështojnë”, ka deklaruar Çeku.

Ndërkohë, sa i përket dënimimit të shqiptuar për Grupin e Llapit, ministri Çeku  thotë se kjo ka qenë befasi.

“Ne u mësuam me befasira, sepse kjo është befasi për këdo, një gjë e papritur për këdo. Tani mbetet të shohim shkallën e dytë të proçesit. Besoj se ky institucion do të japë fjalën e vet dhe edhe këta ish-luftëtarë do të lirohen sepse kjo është diçka që zgjat me vite të tëra. Janë përpjekje për të dënuar ish-luftëtarët dhe si duket dikush nuk mund të pajtohet pa i dënuar ata. Por ka ligj, ka rend dhe gjithmonë e vërteta fiton. E vërteta është e ngadaltë por e arritshme dhe drejtësia është e tillë po ashtu. Jam i sigurtë se e vërteta është në anën e komandantëve tanë, në anën e UÇK-së, dhe do të dalë”, ka theksuar Çeku.

Rrustem Mustafa, Latif Gashi dhe Nazif Mehmeti u dënuan javën e kaluar me 13 vite burg nën akuzën për krime lufte. Po ashtu, edhe Grupi i Drenicës, ish-komandati i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Jahir Demaku, Avni Zabeli, Zeqir Demaku dhe Hysni Thaçi, dyshohen  nga prokuroria speciale e EULEX-it për krime lufte në vitin 1998, në Likovc të Drenicës.

Top Channel