Të paktën 150 persona të cilët veprojnë në veri të Kosovës me urdhërat e Ministrisë së Brendshme të Serbisë do të inkuadrohen në institucionet e Kosovës në kuadër të marrëveshjes Prishtinë-Beograd.

Kjo u bë e ditur nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi në komisionin parlamentar për legjislacion, gjatë shqyrtimit të marrëveshjes ndërkombëtare e cila kërkon ratifikimin e Kuvendit të Kosovës.

Kuçi bëri të ditur afatet kohore të cilat përfshijnë shpërbërjen e strukturave të Serbisë në veri të Kosovës. Në këtë rast palët janë pajtuar që strukturat e sigurisë në veri të shpërbëhen deri më 15 korrik, ndërsa aktiviteti i gjykatave paralele të përfundojë më 1 shtator.

“Për 800 pjesëtarë nuk ka vend, por rreth 150 pjesëtarë do të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës. Prej 15 qershorit ata do të marrin vetëm një pagë. Qeveria e Serbisë do të marrë një vendim transparent përsa i përket kësaj çështje”, ka deklaruar Kuçi.

Ndërsa nuk sqaroi se cilat vepra penale do të amnistohen, Kuçi, i nxitur nga pyetjet e anëtarëve të komisionit, mori shembull se një kriminel që ka djegur pikat kufitare në veri nuk do të amnistohet, por sipas tij kryetari i komunës, që megjithatë ka shpërfillur ligjet e Kosovës, nuk do të ketë arsye që të ndiqet penalisht.

Lëvizja Vetëvendosje edhe këtë herë shfaqi qëndrimin kundër marrëveshjes me arsyetimin se ajo shkel Kushtetuten e Kosovës. Anëtarja e komisionit për legjislacion, Albulena Haxhiu paralajmëroi dërgimin e marrëveshjes në Gjykatën Kushtetuese.

“Vetëvendosja nuk do ta përkrahë marrëveshjen pasi ajo është e dëmshme, antikushtetuese dhe krijon autonomi për serbët brenda Kosovës. Ne marrëveshjen do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese nëse ratifikohet në Kuvend”, ka deklaruar Haxhiu.

Vërejtje paraqiti edhe deputeti i LDK-së Arben Gashi. Në cilësinë e kryetarit të komisionit, ai tha se është kundër rekomandimit që Kuvendi ta ratifikojë marrëveshjen së bashku me planin zbatues.

Anëtarët e komisionit po kështu bënë vërejtje edhe për përkthimin e dobët, siç thanë ata, të marrëveshjes nga gjuha angleze në gjuhën shqipe dhe atë serbe.

Për shkak të këtyre mosmarrëveshjeve, komisioni për legjislacion nuk mundi ta votonte këtë të hënë marrëveshjen e parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Anëtarët e këtij komisioni do të mblidhen sërish të martën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA