Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle ka deklaruar se zhvillimet e fundit në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë meritojnë të përshëndeten.
Duke folur përpara deputetëve gjermanë, Westerwelle ka thënë se ka krijuar bindjen se të dyja palët dëshirojnë të arrijnë një marrëveshje për planin e zbatimit.
Kryediplomati gjerman ka vënë në dukje në veçanti gatishmërinë e Serbisë, kur ka thënë se lidershipi politik i Beogradit ka marrë një vendim strategjik.
“Ata dëshirojnë normalizimin e raporteve me Kosovën dhe në këtë drejtim dëshirojmë t’i mbështesim”, ka thënë Westerwelle në debatin për zgjatjen e mandatit të ushtarëve gjermanë në Kosovë.
Duke folur për fillimin e negociatave të Serbisë me Bashkimin Evropian, ai ka theksuar se ka qenë e drejt që kjo çështje të lidhet me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
“Mesazhi ynë është i qartë. Integriteti territorial i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk duhet të vihet në pikëpyetje”, ka theksuar Westerwelle, i cituar nga mediat serbe.
Duke folur për arritjen e marrëveshjes më 19 prill në Bruksel, ministri gjerman ka theksuar se ajo është hapi i parë, kurse zbatimi i saj është i dyti.
Sipas tij, bëhet fjalë për hapa konkretë, të prekshëm dhe faktik të implementimit. “Plani është ambicioz, por ka krijuar edhe një dinamikë pozitive dhe të dyja palët po tregojnë vullnet politik për normalizimin”, ka thënë ai.
Westerwelle ka vlerësuar më tej se, situata në Kosovë është e qetë dhe e qëndrueshme, por ka shtuar se KFOR-i duhet të jetë më aktiv në veri pasi ekziston ende rreziku i përshkallëzimit të situatës.
Top Channel