Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri ka deklaruar se, pavarësisht angazhimeve nga të dyja delegacionet, pala serbe vazhdon të hezitojë dhe të kundërshtojë disa çështje, duke shtyrë më tej zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit.

“Ka kundërshtime, apo përpjekje të palës serbe që marrëveshjen ta interpretojë me mentalitetin e vjetër që ka pasur. Por të tilla tendenca nuk kanë sukses dhe vetëm sa zgjasin proçesin”, ka deklaruar Tahiri për “REL”, ku ka dhënë edhe disa shembuj.

”Për shembull, mund t’ju them konkretisht se kur kemi folur për proçedurat e rekrutimit për integrim, ata kanë kundërshtuar dhe kanë kërkuar që individët të integrohen pa proçedura. Dhe ne këtë e kemi kundërshtuar. E dyta, ka pasur kundërshtime përsa i përket zhbërjes së mbrojtjes civile, që vepron ilegalisht në pjesën veriore. Këto pengesa janë vetëm të tipit kohor”, ka sqaruar Tahiri.

Tahiri, që kryeson delegacionin e grupit të punës, ka saktësuar më tej se, nga fundi i këtij muaji palët pritet të merren vesh për planin e zbatimit të marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

Ndërkaq, në ditën e dytë të javës së ardhshme, në Bruksel pritet po ashtu që serish të vazhdojnë bisedimet për të shkuar përpara në drejtim të arritjes së marrëveshjes për planin e zbatimit.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është arritur më 19 prill. Ajo, bashkë me planin e zbatimit, do të dalin për ratifikim në Kuvendin e Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA