Roland Garros: Nadal mposht Djokoviç

08/06/2013 04:20

Dominimi i Radael Nadal në “Roland Garros” vazhdon, teksa spanjolli mposht Djokoviç në një ndeshje, e cila do të mbetet në historinë e tenisit, pas seteve 6-4, 3-6, 6-1, 6-7, 9-7, dhe siguron kalimin në 16-she për të 8-n herë në 9 pjesëmarrje në turneun parizien.

Tenisti serb, i cili ishte në avantazh me një “break” në setin e 5-të, nuk ka ditur të shfrytëzojë rastin në favor të tij. Në finale do të jetë një derbi spanjoll me David Ferrer, i cili mposhti francezin Jo-Wilfried Tsonga, pas seteve 6-1, 7-6 dhe 6-2.

Ndeshja, që prisnin të gjithë në “Roland Garros” nuk i ka tradhëtuar pritshmëritë. Spektatorët në “Philippe Chatrier”, do të mbajnë mend për shumë vite gjysmëfinalen mes Nadal dhe Djokoviç, e destinuar me të drejtë të futet në historinë e tenisit.

U përballën dy atletët më të mirë të fushave natyrale dhe epilogu ishte një set i pestë tepër i luftueshëm dhe emocionues, madje më i gjati i të gjitha kohërave në një gjysmëfinale të epokës “Open”, në fund të së cilës ka triumfuar majorkeni 9-7, ndërkohë që serbi ishte në avantazh të një “break”, kur rezultati ishte 4-2.

Sfumohet sërish ëndrra e Djokoviç për të fituar “Roland Garros”, i vetmi turne i “Grand Slam”-eve, që mungon në koleksionin e tij.

Pika e fundit e ndeshjes, ishte një dhuratë e serbit, i cili i dha fund një sfide epike pas 4 orësh e 37 minutash. Nadal do të ketë mundësi të dielën të fitojë titullin e 8-të të tij në tokën franceze, duke vendosur një rekord për turnetë e “Slam”-eve. Ndërkohë, Ferrer-it i është dashur tentativa e 42-të për të siguruar finalen e parë të një turneu “Slam”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA