Policia e Kosovës arrestoi në 24 orët e fundit pesë persona, të përfshirë në trafikimin e substancave narkotike nga Shqipëria në Kosovë.

Zyrtarët policorë bënë të ditur se operacioni filloi me ndalimin e një veture në rrugën Fushë Kosovë-Prishtinë, në të cilën u gjetën rreth 12 kg substancë narkotike e llojit marihuanë.

Në vazhdim të operacionit u ndalua edhe një veturë me targa të Shqipërisë, në të cilën udhëtonin dy shtetas shqiptarë, të cilët u arrestuan për transportin e 3 kilogramëve substancë narkotike nga Shqipëria në Kosovë.

“Substanca narkotike ka prejardhje nga Shqipëria, ndërsa destinacioni i saj ka qenë tregu i brendshëm në Kosovë, për t’u shpërndarë në Prishtinë. Gjithësej janë konfiskuar 15 kilogramë e 326.8 gramë marijuanë, dy vetura, rreth 1400 euro, 12 mijë lekë dhe 6 telefona celularë”, deklaroi zyrtari i Policisë së Kosovës, Bajram Nuhiu.

Brenda dy javësh në Kosovë janë shkatërruar dy grupe kriminale që kanë qenë të përbëra nga shtetas kosovarë dhe shqiptarë, me 9 persona të përfshirë, si dhe janë konfiskuar 36 kg substancë narkotike e llojit marihuanë.

Ndërkohë, në një operacion tjetër është arrestuar një mjek i cili dyshohet për shpërdorim të detyrës zyrtare, me qëllim marrje ryshfeti.

Top Channel