“Qeveria e Serbisë duhet të flasë për të kaluarën duke u bazuar në fakte. Duhet të njohë institucionet e Kosovës dhe të pranojë viktimat”. Në këtë mënyrë, aktivistja Natasha Kandiç sheh normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtorja e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd thotë se detyrë shumë e vështirë, por shumë e rëndësishme, do të jetë edhe hapja e urës në lumin Ibër.

”Besoj në këto bisedime dhe në këtë normalizim të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, sepse para kësaj nuk ka pasur asnjë ide të ngjashme. Që kur kanë nisur bisedimet e nivelit të lartë në Bruksel, në të cilat kanë marrë pjesë kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, vihen re ndryshime në realitet”, ka deklaruar Kandiç.

Sipas saj, bëhet fjalë për lëvizje ende të vogla, por më e rëndësishme është se në media është zhdukur gjuha armiqësore që është përdorur me vite të tëra.

“Nga të dyja palët ka vlerësim. Për herë të parë thuhet ‘kryeministri i Kosovës’. Më herët, në shtypin serb ai është quajtur kriminel, ka bërë këtë e atë, ndërsa tani pranohen cilësitë e tij në këtë dialog. Ky është fillimi i ndryshimeve”, thekson Kandiç.

Sipas saj, normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës është objektivi më i rëndësishëm. “Reagimet e njerëzve të thjeshtë janë pozitive. Ata kanë pranuar edhe marrëveshjen e Brukselit. Të gjithë kanë marrë frymë më lirshëm. Të gjithëve u është mërzitur ajo armiqësi me Kosovën. Kjo është e rëndësishme”, ka nënvizuar Kandiç, duke shtuar megjithatë se ka edhe diçka tjetër.

“Por ka edhe një pjesë të vështirë të proçesit, për të cilën as qeveria e sotme nuk thotë asgjë. Bëhet fjalë për atë se çfarë ka ndodhur në vitet 1998, 1999 dhe 2000 në Kosovë. Edhe kur flitet, flitet në një mënyrë politike me shumë pak fakte. Faktet janë të rëndësishme dhe për të kaluarën duhet të flasim në bazë të tyre. Të ndalojmë së foluri gënjeshtra”, ka theksuar Kandiç.

Ajo ka shtuar më tej se, shoqëria civile duhet të jetë promovuesja e përhershme e pajtimit, atij pajtimi që njeh viktimat dhe autorët e tyre. “Detyrë e shoqërisë civile është që gjithmonë të sjellë të dhëna për autorët dhe të kërkojë një debat për të kaluarën. Aq sa do të jetë e suksesshme shoqëria civile, aq do të ketë edhe debat për të kaluarën”, ka shtuar Kandiç.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA