Takimi i superfuqive

07/06/2013 08:35

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, mbërriti në Kaliforni për një takim dy-ditor me homologun e tij amerikan, Barack Obama.

Takimi, i cili do të zhvillohet në një kompleks privat, do të jetë i pari që kur Xi u ngjit në pozicionin e kryetarit të shtetit, në muajin mars.

Takimi jozyrtar shikohet nga ekspertët si një shans unik për “të ngrohur” marrrëdhëniet, duke arritur një bashkëpunim për shumë çështje me interest të përbashkët për dy superfuqitë ekonomike të botës.

Megjithatë, përveç çështjeve ekonomike, në qendër të vëmendjes së takimeve do të vendosen edhe disa ballafaqime, si ai për luftën kibernetike që të dy shtetet zhvillojne nen hije midis tyre.

Çështje koreanoveriore, siguria në Kontinentin Aziatik dhe fuqizimi i tregëtisë do të jenë gjithashtu në krye të axhendës së bisedimeve.

Ndërkohë, një grup ligjvënësish amerikanë janë duke ushtruar presion mbi Obamën, që ai të sjellë në tryezën e bisedimeve edhe çështjen e shkeljes së të drejtave të njeriut në Kinë dhe t’i kërkojnë presidentit lirimin e 16 të burgosurve politikë, përfshi nobelistin Liu Xiaobo.

Sipas mediave amerikane, ka pak gjasa që kërkesa e tyre të adresohet nga Obama, fokusi i të cilit do të jetë ndërtimi i një klime miqësore në këtë takim, i pari me pasardhësin e Hu Qintaos, ish-presidentit kinez me të cilin u formua një raport bashkëpunimi, pavarësisht mosdakordësive të shumta, gjatë dhjetë viteve të fundit.

Ndalesa në Kaliforni është e para e Xi Jinpingut, në kuadrin e një turi në Amerikën e Veriut.

I shoqëruar nga bashkëshortja Peng Liyuan, një këngëtare e muzikës popullore kineze, Jinping do të zhvendoset pas SHBA-së në Trinidad & Tobago, Kosta Rikë dhe Meksikë.

Top Channel