Shqipëria, barazim dhe shpresë

07/06/2013 22:40

Goli i Hoglit, në minutën e 87-të, prishi festën e tifozëve shqiptarë, të cilët kishin mbushur si asnjëherë shkallët e stadiumit “Qemal Stafa” dhe ishin përgatitur për një fitore të dytë ndaj Norvegjisë.

Një lëshim dhe shpërqëndrim i tanëve, gjatë minutave të fundit, bëri që përfaqësuesja nordike të barazojë 1-1 dhe të ikë me një pikë nga Shqipëria. Por, pavarësisht rezultatit, loja e mirë e djemve të rinj të De Biazit ka marrë duatrokitjet e tifozëve kuqezi, në fundin e ndeshjes.

Tanët treguan ambiciet e tyre për fitore, që nga minuta e parë, por njëherë Salihi dhe njëherë Mavraj nuk arrijtën të ngrejnë peshë tifozët. Norvegjezët tentuan të reagojnë me topa të gjatë, por fatmirësisht porta jonë mbeti e paprekur.

Në minutën e 41-të, Valdet Rama zhbollokon rezultatin pas një aksioni perfekt individual, nga krahu i majtë.

Edhe në pjesën e dytë tanët rrezikuan sërish me Salihin, por gjuatja e tij u hoq me majat e gishtave nga portieri norvegjez. Kombëtarja jonë krijoi më shumë volum loje, ndërkohë që kundërshtari tentoi të rrezikojë me topa të gjatë. Në dy raste, Berisha i Norvegjisë tregohet i pasaktë para Berishës së portës tonë.

Lojtarët tanë, ndoshta të lodhur nga loja e tëpërt, lëshuan terren në minutat e fundit, duke i dhënë mundësinë norvegjezëve të dalin më përpara. Atëherë, kur të gjithë prisnim që edhe kjo ndeshje të përfundonte me fitoren tonë, Hogli, i harruar nga mbrojtja jonë, ndëshkoi Berishën dhe barazoi rezultatin.

“Është një ndjenjë shumë e mirë dhe cdo lojtar që njeh futboll e ndjen veten mirë, por besoj se me një fitore ndjenja do kishte qenë shumë më e bukur”, tha autori i golit, Rama.

“Është një keqardhje e madhe, pasi kemi bërë një ndeshje shumë të mirë përballë një kundërshtari, që duhet patur respekt. Nëse shohim atë që kemi bërë sonte, sigurisht që duhet të pranojmë se kemi humbur dy pikë, pasi meritonim të fitonim. Kemi luajtur më mirë se ta, kemi krijuar më shumë raste se ta, por gjendja fizike na ndëshkoi në fund. Mendoj se skuadra po rritet”, u shpreh tekniku italian, Gianni de Biasi.

Para kësaj sfide të rëndësishme, FSHF u kishte organizuar një ceremoni Altin Lalës dhe Ervin Skelës, të cilët i dhanë zyrtarisht lamtumirën futbollit të luajtur me kombëtaren tonë.

Ndërkohë Sllovenia fitoi 4-2 në Islandë, ndaj suprizës së këtij grupi, një rezultat ky që ngjit kombëtaren tonë të vetme në vendin e dytë, me 10 pikë.

Renditja – Gjithsesi rezultati 1-1 e ngjit Shqipërinë në vendin e dytë në kuotën e 10 pikëve në grupin E të eliminatoreve të Botërorit “Brazil 2014″. Zvicra kryeson grupin me 1 pikë më shumë, por një ndeshje më pak se ne; ndërsa lajme të mira vijnë nga Islanda e cila humbi në shtëpi ndaj Sllovenisë me rezultatin 2-4.

Zvicra 11 pikë

Shqipëria 10

Islanda 9

Norvegjia 8

Sllovenia 6

Qipro 4

Rama bën gol, Berisha duartroket
90 minuta “armëpushim” virtual, mes kryeministrit dhe liderit të opozitës

Kanë kaluar më shumë se pesë vite dhe tashmë, pikërisht në ndeshjen më të rëndësishme, që përkon edhe me kulmin e fushatës elektorale, kryeministri Berisha dhe presidenti i FSHF-së Armand Duka, prej shumë vitesh kundërshtarë, ulen në të njëjtën radhë.

Tribunës qendrore të “Qemal Stafës” i mungonte prej kohësh mbiemri Berisha, i cili në futboll, kohët e fundit, po bëhet gjithnjë e më i shpeshtë.

Mes vorbullës së fushatës, edhe në këtë 90 minutësh, sërish mbiemrat protagonistë janë të njëjtë dhe kryetari i opozitës, Edi Rama, është i pari që, në komentin e tij në Tëitter, pranon ‘aleancën’ e Berishës, por vetëm për këtë 90 minutësh.

Kulmin e atmosferës e ndez individualisti Rama, aksion perfekt, driblim dhe saktësi në goditje, që ndez “Qemal Stafën” e madje, për herë të parë, duartrokitet një Ramë nga Berisha.

Dhe, mes disa qindra-mijërave komentuesve në Facebook për golin, nuk mund të mungonte një nga faqet me më shumë fansa, që është ajo e kryministrit Berisha. Sigurisht, me atë mbiemër të autorit të golit, kryeministri është mjaftuar me përgëzimin për lojën dhe urimin ndaj Tifozëve Kuq e Zi.

Mes kurajos së shpeshtë, që jep virtualisht kryetari Rama, nuk i reziston dot kësaj traverse dhe vë në dukje mungesën e fatit të Salihit, duke kërkuar e shpresuar sa më pak gabime.

Barazimi dhe vërshëllima përfundimtare, mes dy liderëve të politikës, ka të përbashkët keqardhjen, ashtu si të të gjithëve tifozëve, për mungesën e fitores, megjithatë, kryeministri Berisha del shumë shpejt, madje që në minutën e 92-të, në fushatën e tij, duke premtuar fitoren e zgjedhjeve, ndërkohë që, kryetari i opozitës Rama bëhet gati për vazhdimin e fushatës, në qarkun e Fierit.

Me sa duket, kaq ishte sporti për ta dhe, ndoshta, për shumicën e shqiptarëve që, duke filluar nga e shtuna, i rikthehen një tjetër tifozllëku: atij të posterave e flamujve elektoral.

Mijëra tifozë vërshuan në Tiranë
Mijëra tifozë, nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, kanë vërshuar drejt Tiranës, në mbështetje të Kombëtares sonë, e cila luajti me Norvegjinë në “Qemal Stafa”.

Kryeqyteti shqiptar ishte mbuluar i gjithi me ngjyrat kuqezi. Rëndësia e madhe, që kishte kjo sfidë, ka bërë që në Tiranë të vinin edhe shumë sportdashës nga qytete të tjera të Shqipërisë dhe Kosovës.

Nuk munguan edhe tifozët norvegjez, të cilët kërkonin të mbështesnin skuadrën e tyre në “Qemal Stafa”, së cilës i duhej patjetër fitorja, për të mbajtur të gjalla shpresat për një vend të dytë në grup.

Ndërkohë, në rast fitoreje të ndeshjes së luajtur tashmë, kryeministri Berisha kishte deklaruar se do të jepte 200 mijë euro shpërblim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA