
Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me 13 vjet burg tre ish-pjesëtarë të UÇK-së, të njohur si Grupi i Llapit, për veprën penale të kryerjes së krimeve të luftës kundër popullatës civile në Kosovë.
Komandanti i UÇK-së për zonën operative të Llapit, Rrustem Mustafa u dënua me 4 vjet burg, deputeti i Kuvendit të Kosovës, po kështu ish-pjesëstar i UÇK-së, Latif Gashi, me gjashtë vjet dhe Nazif Mehmeti me 3 vjet burgim.
Gjykata ka mundur të provojë pikën e akuzës në lidhje me rrahjet e keqtrajtimet e civilëve shqiptarë. Kryetari i trupit gjykues, Jonathan Caroll në arsyetimin për këtë rast tha se çdo vendim që merr gjykata nuk është kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por kundër inividëve të cilët kanë shkelur ligjin e luftës dhe gjithashtu nuk kanë realizuar pritjet e popullit të Kosovës. Ai kritikoi klasën politike në Kosovë se është ajo që po i vë hije të zezë UÇK-së dhe jo sistemi i drejtësisë.
“Kur dënohen individë, janë ata dhe vetëm ata që mbajnë përgjegjësi dhe jo i gjithë institucioni të cilit ata i kanë shërbyer. Këta individë kanë kryer vepra të paligjshme dhe jo e gjithë UÇK-ja. Çdo pretendim tjeter është politik. Provat në këtë çështje tregojnë se një numër civilësh shqiptarë ishin të paraburgosur në zonën operative të Llapit lidhur me akuza për bashkëpunim me serbët, të cilët në shumicën e rasteve kanë qenë të bazuara në thashetheme. Edhe nëse paraburgimet mund të kenë qenë të natyres së ligjshme, ajo nuk do të mund të lejonte akte të rrahjes apo torturës”, deklaroi Caroll.
“Duhet të bëhet shumë e qartë, UÇK-ja nuk ka qenë duke u gjykuar për këtë rast. Fajësia është individuale dhe jo kolektive dhe gjykata ka provuar se këta individë, Latif Gashi, Rrustem Mustafa dhe Nazif Mehmeti kanë kryer veprime të paligjshme”, deklaroi Charles Hardway, prokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Beteja juridike per këtë rast do të vazhdojë, pasi pala mbrojtëse paralajmëroi ankesë. Ndërsa ish-luftëtarët e UÇK-së me ironi falenderuan bashkësinë ndërkombëtare për mësimin e sjellë në Kosovë përsa i përket funksionimit të rendit dhe ligjit.
Latif Gashi, Rrustem Mustafa e Nazif Mehmeti janë gjykuar për të tretën herë për krime lufte kundër popullatës civile. Rigjykimi për tre ish-luftëtarët e zonës operative të Llapit nisi pas një urdhëri të Gjykatës Supreme të Kosovës më 26 janar 2011, kur kishte shqyrtuar ankesat e palës mbrojtëse.
Top Channel