Mbretëresha inauguron selinë e re të BBC

07/06/2013 00:00

Mbretëresha Elizabeth ka përuruar të premten selinë e rindërtuar qendrore të BBC, duke i dhënë jetë një momenti të veçantë televiziv kur është shfaqur prapa folësve në transmetim.

Më herët ajo kishte bërë një fjalim live në BBC Radio 4, ku thoshte se ishte një kënaqësi e madhe të shihje selinë e re qëndrore të BBC në Londër.

Gjatë një turi në godinën në fjalë, ajo u takua me emrat më në zë të transmetuesit të famshëm britanik. Edhe Duka i Edinburgut pritej që të merrte pjesë në këtë eveniment, por ai u shtrua në spital ditën e enjte për një operacion.

Një turmë e madhe ishte mbledhur jashtë ndërtesës për të pritur mbërritjen e mbretëreshës, që ishte veshur me një kostum bojëqielli dhe me kapele.

Drejtuesit e BBC, Lordi Patten dhe Tony Hall takuan monarken dhe e shoqëruan gjatë turit të saj nëpër studio.

“Është një kënaqësi e madhe të vizitoj BBC sot dhe të shoh shtëpinë e re të saj. Më kujtohet ardhja e parë bashkë me babain tim, Mbretin, dhe me mamanë e motrën pak para luftës. Më pas erdha sërish me Dukën e Edinburgut pak para kurorëzimit në vitin 1953”, u shpreh mbretëresha.

“Shpresoj që kjo ndërtesë e re do t’ju shërbejë juve për të ardhmen dhe jam e kënaqur që unë bëra përurimin e saj”, uroi ajo stafin e institucionit gjigand mediatik.

Ndërtesa është shtëpi e nëntë rrjeteve radiofonike, e tre televizioneve informative që transmetojnë 24 orë në 24, të gjitha buletineve të lajmeve të BBC dhe njëkohësisht e 6 mijë punonjësve të transmetuesit, ku bëjnë pjesë ata të televizionit, radiove dhe shërbimeve online.

Top Channel