Luftimet në lartësitë Golan

07/06/2013 01:10

Ushtria siriane ka marrë kontrollin e një udhëkryqi të mbikqyrur nga OKB-ja, në lartësitë Golan, i cili kishte rënë në duart e rebelëve.

Në luftimet pranë Quneitras, në afërsi të territoreve të mbrojtura nga izraelitët, u përdoren tanke e autoblinda. Austria deklaroi se do t’i tërheqë paqeruajtësit e saj për shkak të përshkallëzimit të beftë të luftimeve.

Një ditë më parë, trupat siriane, të mbështetura nga militantët e lëvizjes shiite libaneze, Hezbollah, rimorën qytetin strategjik të Qusair-it.

Përfshirja e Hezbollahut dhe ashpërsimi i luftimeve në afërsi të vijës së armëpushimit me Izraelin, në lartësitë Golan, kanë shtuar ndjeshëm frikën se konflikti, që po mundon prej dy vjetësh Sirinë, tashmë mund t’i kapërcejë kufijtë e saj.

Fillimisht, zyrtarët austriakë patën pohuar se paqeruajtësit e OKB-së do të tërhiqeshin në një vend të sigurt, por tani deklarojnë se tërheqja e trupave do të jetë e plotë për shkak se kërcënimi, me të cilin përballen, ka mbërritur një nivel të papranueshëm.

Austriakët përbëjnë një të tretën e forcës prej 900 ushtarësh të Kombeve të Bashkuara, që monitoron zonën e çmilitarizuar dhe Quneitra-n, i vetmi kryqëzim i hapur mes Sirisë dhe rajonit të lartësive Golan, të kontrolluar nga Izraeli.

Shteti hebre shprehu keqardhje për vendimin e Austrisë, e tha se shpreson që një lëvizje e tillë nuk do të çojë drejt një përshkallëzimi të mëtejshëm të situatës.

Top Channel