Qytetarët e Prishtinës do të mund të shëtisin pa frikë nga mjetet shpërthyese në gjithë territorin e parkut Gërmia.

25 mijë metra katrorë janë pastruar nga Kompania e çminimit të FSK-së dhe Armata e Suedisë në parkun Gërmia, ndërkohë që janë shkatërruar 38 bomba kasetore dhe tre granata dore, si dhe janë pastruar 445 kamione mbeturina.

Pjestarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, bashkë me forcat speciale të ushtrisë suedeze kanë përfunduar me sukses çminimin e të gjithe zonës së rrezikshme nga mjetet shperthyese të mbetura nga lufta e fundit.

“Fatkeqësisht deri më sot kjo zonë është konsideruar absolutisht e pasigurt për t’u vizituar, për t’u shëtitur dhe për të shijuar këto bukuri natyrore. Por tani çdo vizitor do ta shohë ndryshimin dhe do të ndihet më i sigurt”, deklaroi ministri Çeku, i cili falenderoi trupat suedeze.

“Ky operacion nuk do të ishte i mundshëm pa përkrahjen e KFOR-it, Komunës së Prishtinës dhe Policisë së Kosovës. Sa herë që kam kaluar këtej kam parë shenjat e rrezikut, telin me gjemba e gjëra të tjera dhe tani jam shumë e lumtur që gjithë ai rrezik është mënjanuar”, tha nga ana e saj ambasadorja suedeze Ingrid Johanson.

Çminuesit e FSK-së dhe Ushtrisë së Suedisë i falënderoi edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa. “Prej sot, qytetarët e Prishtinës, të rinjtë, pleqtë, fëmijët, që e vizitojnë shumë këtë park, do të jenë shumë më të sigurt. Ju keni shpëtuar jetët e tyre, duke qenë se ata nuk janë më të rrezikuar nga këto mjete që i keni gjetur këtu”, tha Mustafa.

Në ceremoninë e përmbylljes morën pjesë edhe zëvendësministri i FSK-së Shemsi Veseli dhe shumë personalitete të ambasadave të huaja, KFOR-it, etj.

Top Channel