Hollande: Të lirohen gazetarët në Siri

07/06/2013 14:20

Presidenti i Francës, Francois Hollande, bëri thirrje që dy gazetarë francezë, të marrë peng ndërsa pasqyronin betejat në Siri duhet të lirohen menjëherë.

Duke folur nga Japonia, ku Hollande është në një vizitë diplomatike, ai theksoi se “gazetarët nuk përfaqësonë asnjë shtet apo interes, ndërsa në Siri po kryenin vetëm punën e tyre, atë të informimit”.

Punonjës për “Europe 1”, gazetarët janë identifikuar nga punëdhënësi si Didier Francois dhe Edourad Elias.

Ata ndodheshin në Alepo kur u zhdukën dhe prej 24 orësh, nuk ka pasur asnjë informacion për gjendjen e tyre.

Nuk është ende e qartë se cili është fati i tyre, por kolegë të tyre thanë se reporterët u morën peng.

Përsëri nuk është e qartë nëse ata mbahen nga kryengritësit apo trupat qeveritare.

Ndërkohë, Austria lajmëroi këtë të premte se do të tërheqë vëzhguesit e saj nga Lartësia e Golanit, pasi pushtimi i zonës kufitare nga trupat e Assad, vendos në rrezik sigurinë e tyre.

Suksesi i ushtrisë së Assad në kufi me Izraelin mund të shërbejë për të rritur tensionet, pasi më parë, të dy ushtritë janë përballur në afersi te ketyre pozicioneve.

Lartësitë e Golanit, zyrtarisht janë një territor sirian, i mbajtur i pushtuar nga Tel Avivi që kur Siria mori pjesë në një luftë, në kuadrin e një koalicioni të disa vendeve arabe kundër Izraelit në vitin 1967.

Si rrjedhojë e aneksimit formal që Izraeli ka realizuar dhe pretendimeve territoriale të Damaskut, Golani ka qenë gjithmonë burim incidentesh midis dy shteteve.

Lufta civile siriane, e nisur pas një seri protestash paqësore u shtypën me dhunë nga autoritetet në mars 2011, i ka kushtuar jetën të paktën 80 mijë sirianëve, sipas statistikave “të përmbajtura” në zotërim të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Top Channel