Video/ 75 metra të përshkruar në 12 sekonda, qendërmbrojtësi i Tottenhamit i lë të gjithë me “gojë hapur” pas supergolit në Champions Në prag të ndeshjes Shqipëri-Norvegji, dy nga futbollistët që kanë shkruar historinë e dekadës së fundit në futbollin shqiptar, Altin Lala dhe Ervin Skela, do t’i japin zyrtarisht lamtumirën kombëtares në një ceremoni të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Në një prononcim për Top Channel, ish-mesfushori vlonjat u shpreh: “Ndihem shumë i nderuar. Do të kisha shumë dëshirë që të isha sot në fushë me djemtë, por çdo gjëje i vjen fundi.”
Në lidhje me takimin, Skela nënvizoi: “Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme. Skuadra ka një harmoni të jashtëzakonshme dhe trajnerët italianët janë ekspertë. Shpresojmë në një fitore si ajo ndaj Greqisë në vitin 2004.”
Ndërsa kapiteni i kombëtares, Lorik Cana, i cili do të mungojë sot për shkak kartonash, u shpreh: “Skuadra i di pritshmëritë e tifozëve dhe e di që ka një përgjegjësi të madhe. Trajneri e di shumë mirë se çfarë duhet të bëjë dhe duhet të luajmë lojën që kemi bërë deri tani e që na ka sjellë në këtë pozitë.”
Kur u pyet nëse beson në kualifikimin për në “Brazil 2014”, Cana u përgjigj: “Ne kemi besuar gjithmonë!”
Kombëtarja kërkon fitoren
Edhe pse gjatë gjithë javës ka kërkuar uljen e euforise në rradhët e
tifozerisë kuqezi, trajneri i kombëtares shqiptare Xhani De Biazi nuk e
fsheh dëshirën për të mposhtur norvegjezët edhe në “Qemal Stafa”.
Kjo gjë duket më së miri në formacionin që tekniku italian pritet të hedhë në fushë që nga minuta e parë, ku bie në sy prania e dy sulmuesve Cani dhe Salihi. Porta do t’i besohet Ertrit Berishës, i cili me gjakftohtësinë e tij i ka dhënë siguri jo vetëm lojtarëve në fushë por edhe trajnerit në pankinë.
Pritet që vendin e Canës në mbrojtje ta mbajë Teli i cili do të qëndrojë përkrah Dallkut, Mavraj dhe Agollit. E reja e formacionit do të jetë mesfushori Valdet Rama i cili pritet ta nisë ndeshjen që nga minuta e parë ndërkohë që Bulku dhe Basha do të jenë sërish siguria e De Biazit në mefushë.
Ndërkohë sipas kompanive të basteve përfaqësuesja norvegjeze ka më shumë shanse që të fitojë në Tiranë. Suksesi i skandinavëve kuotohet mesatarisht me koefiçentin 2.3, ndërsa i Shqipërisë me 3.07. Në konferencën e fundit për shtyp para ndeshjes trajneri i kombëtares tonë deklaroi se shpresat për një kualifikim nuk varen vetëm nga kjo ndeshje.
Ndërsa jemi në prag të ndeshjes me Norvegjinë, kryeqyteti shqiptar është mbuluar me ngjyrat kuqezi. Shumë shitës ambulantë kanë dalë nëpër rrugët e Tiranës për t’u shitur tifozëve flamuj, apo aksesorë të tjerë me ngjyrat e flamurtit kombëtar. Rëndësia e madhe që ka kjo sfidë ka bërë që në Tiranë të vijnë dhe shumë sportdashës nga qytete të tjera të shqipërisë dhe Kosovës.
Nuk mungojnë edhe tifozët norvegjezë të cilët kërkojnë të mbështesin skuadrën e tyre në ‘Qemal Stafa’, e cila kërkon patjetër fitoren për të mbajtur të gjalla shpresat për një vend të dy në grup.
Top Channel