Afganistan, vriten 6 ushtarë gjeorgjianë

07/06/2013 03:50

6 ushtarë gjeorgjianë janë vrarë nga një sulm vetvrasës në provincën Helmand të Afganistanit, bëri të ditur Ministria gjeorgjiane e Mbrojtjes.

“Një bombë shpërtheu në një kamion shumë pranë bazës sonë”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Irakli Dzneladze, për televizionin gjeorgjian. Muajin e fundit, 3 ushtarë të tjerë gjeorgjianë janë vrarë nga sulme të ngjashme.

Edhe pse nuk është një anëtar i NATO-s, Gjeorgjia ka marrë pjesë në disa misione dhe ka më shumë se 1500 ushtarë në Helmand.

Tbilisi ka një nga kontigjentët më të mëdhenj, jashtë NATO-s, të ushtarëve në Afganistan. Në total, 28 ushtarë gjeorgjianë janë vrarë në Afganistan, që prej 2009-s.

Dzneladze tha se 9 ushtarë të tjerë janë plagosur, por asnjëri prej tyre nuk rrezikon jetën. “Pavarësisht këtyre sulmeve, ushtria gjeorgjiane janë të gadishmëri të plotë për të përmbushur detyrat, me të cilat janë ngarkuar”, shtoi ai.

Presidenti Mikheil Saakashvili u shfaq gjithashtu në televizion, duke thënë se Gjeorgjia ka “bërë një tjetër sakrificë për lirinë dhe pavarësinë tonë”.

Ish-republika sovietike ka dërguar gjithashtu trupa në Kosovë dhe Irak.

Top Channel